REAGIM ZYRTAR – SHOQATA E BASKETBOLLIT VLLAZNIA

Shoqata e Basketbollit Vllaznia shpreh indinjatën e saj ndaj reagimeve dhe presioneve të Federatës Shqiptare të Basketbollit, të cilat fatkeqësisht duken më shumë si përpjekje për të plotësuar dëshirat e ekipit të Tiranës, sesa për të garantuar zhvillimin normal dhe të drejtë të garave sportive.

Informojmë publikun se në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” sistemi i ri i tabelës elektronike dhe 24-sekondëshi i ri kanë shfaqur një problem teknik, i konstatuar që në ndeshjen ndaj Kamza Basket. Falë përkushtimit të stafit të pallatit, është vënë në funksion sistemi pararendës, duke bërë të mundur zhvillimin normal të ndeshjeve.

Sistemi i ri është një investim shumë i kushtueshëm, i krahasueshëm me buxhetin sezonal të një ekipi mesatar në Shqipëri. Që në momentin e parë kemi kontaktuar kompaninë përkatëse, e cila ndodhet në ambientet e pallatit duke punuar për zgjidhjen përfundimtare të problemit.

Theksojmë se 4 ndeshje zyrtare janë zhvilluar me pajisjet e vjetra pa asnjë problem apo ankesë nga arbitrat dhe delegatët. Për këtë arsye, çdo insinuatë apo kërcënim për mbyllje ndeshjeje “në tavolinë” me rezultat 20-0 është i papranueshëm dhe cenon frymën sportive.

Rikujtojmë Federatën se para dy vitesh, në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”, u has një problem i ngjashëm teknik dhe u theksua qartë parimi se ndeshjet fitohen në fushë dhe jo në tavolinë. Presim që i njëjti parim të zbatohet edhe sot.

Shoqata e Basketbollit Vllaznia mbetet e përkushtuar ndaj rregullave dhe sportivitetit, por nuk do të pranojë trajtim të pabarabartë apo presione selektive.

Basketbolli fitohet në fushë. Jo në tavolinë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu