Keshilltari bashkiak Imeld Sokoli ka ngritur shqetesimin mbi punimet ne maternitetin e Shkodres dhe rrezikun qe vjen nga kjo nderhyrje.
Status i plote:
Materniteti i Shkodrës: kur “plani” bëhet më i rrezikshëm se mungesa e punimeve, projekti i të cilit u përdor për fushatë.
Në qershor 2025 u firmos kontrata për rikonstruksionin e Maternitetit të Shkodrës dhe u shpall publikisht si arritje.
Sot, janar 2026, punimet nuk kanë nisur, për shkak të mungesës së lejes së ndërtimit nga Bashkia Shkodër. Ndërkohë leja e punimeve ka një periudhë 12 mujore dhe kanë kaluar 6 muaj pa filluar punimet.
Por ajo që do ndodh ndërkohë është shumë më serioze.
Pa nisur ende rikonstruksioni, është hartuar dhe pjesërisht zbatuar një plan zhvendosjeje të shërbimeve, i cili po çrregullon rëndë funksionimin e spitalit dhe po krijon rreziqe të panevojshme për pacientët.
Çfarë është bërë konkretisht dhe cilat janë pasojat:
🔴 Dermatologjia është integruar në patologji pa shtuar numrin e shtretërve, duke mbingarkuar shërbimin dhe kufizuar realisht mundësinë për hospitalizim të pacientëve me sëmundje të tjera të rënda.
🔴 ORL dhe okulistika kanë zënë ambiente në repartin e kirurgjisë, duke reduktuar kapacitetin funksional të këtij reparti.
🔴 Ambulatori i ortopedisë është zhvendosur brenda kirurgjisë, duke thyer çdo parim bazë të sterilitetit: çdo ditë dhjetëra pacientë ambulatorë qarkullojnë në një repart ku trajtohen pacientë onkologjikë, mbartës protezash dhe post-operatorë.
Ndërkohë, plani i parashikuar (por ende jo i zbatuar) për OBS-GYN dhe neonatologjinë mbetet thellësisht problematik:
➡️ OBS-GYN parashikohet të zhvendoset tek reparti i infektivit
➡️ Neonatologjia në pediatri
➡️ Dhomat e lindjes dhe ambulatori në ambiente të improvizuara
Edhe si vendimmarrje në letër, ky plan:
❌ nuk është as i drejtë, as i fizibël
❌ rrit rrezikun infektiv për nënat dhe foshnjat
❌ ndan funksionalisht nënën nga foshnja
❌ mbështetet në zgjidhje teknike minimale, jo në siguri shëndetësore
Fakti që ky plan ende nuk është zbatuar nuk e bën më pak shqetësues. Përkundrazi, tregon një gabim serioz në konceptim, që duhet ndalur përpara se të zbatohet.
❗ Materniteti nuk është repart eksperimental.
❗ Shëndeti i grave dhe i foshnjave nuk menaxhohet me improvizime.
❗ Në mungesë të lejes së ndërtimit, nuk justifikohet çrregullimi i gjithë spitalit.
Kjo situatë kërkon ndalim të menjëhershëm të këtyre vendimeve, transparencë dhe përgjegjësi institucionale – përpara se një “plan” i gabuar të kthehet në një dëm real dhe të pakthyeshëm.






