Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, mbajti një konferencë për shtyp në përfundim të misionit të tij vjetor të mbledhjes së fakteve në Shqipëri.
Schieder tha se Shqipëria duhet të fuqizojë luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se mbështesin punën e SPAK. „Puna e SPAK të mbetet e pandërprerë nga aktorë të tjerë dhe puna e SPAK të mos pengohet nga institucione të tjera”, tha ai.
Gjatë konferencës vjetore, raportuesit të PE për Shqipërinë Andreas Schieder iu drejtuan disa pyetje lidhur me deklaratat dhe pretendimet e Sali Berishës, një ndër ta ishte edhe rasti i AKSHI-t. Pasi mori disa pyetje rresht nga gazetarët për Berishën, Schieder dha këtë përgjigje.“Mos më bëni pyetje për gjithçka thotë Berisha dhe mos më shtyni të komentoj çdo gjë që thotë ai. Sepse do dal nga roli im insitucional pastaj”, tha Schieder. “Së pari personi që i dha emri këtij kokteji, kontributi i tij në histori nuk ka qenë vetëm pozitiv, demokracia me molotov nuk është e mirë. Javën e shkuar pamë fotografi në media për protestat që dukeshin dramatike. Pastaj kur vjen këtu dhe sheh një situatë më pak dramatike. Duhet të jeni të ndërgjegjshëm dhe për perceptimin që prodhoni nga mediat në mendjen e qytetarëve evropianë. E di që demokracia funksionon mirë, që ka debate deri në orën 4 të mëngjesit, dhe që ka hapësirë për opozitën dhe mazhorancën për të diskutuar, është një demokraci normale. Ndonjëherë e ke qejf dikë, ndonjëherë e urren. Por të mos e dramatizojmë më shumë seç duhet. Mendoj që është edhe më e rëndësishme që të gjejmë mesin e artë. Zgjedh funksionimin normal të një demokracie”, tha Schieder.
Schieder tha se Parlamenti Evropian nuk komenton çështje ligjore, ndërsa shtoi se të gjitha institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK duke bërë secila hallkë punën e nevojshme.“Më duhet të them që së pari parlamenti evropian nuk komenton çështje ligjore dhe mendoj që gjithashtu është standard i mirë që institucionet të kryejnë punën e tyre, në këtë rast SPAK dhe të tjerët duhet të bëjnë punën e tyre me gjetjet e tyre ashtu siç e mendojnë ato që është e nevojshme. Të gjitha institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK. Nuk është për Parlamentin Evropian për të bërë komente specifike. Jam i sigurt dhe për parlamentin në Shqipëri që me këtë përbërje që ka do të bëhen të gjithë diskutimet e duhura dhe do të merren vendimet e duhura”, tha Andreas Schieder.






