Ditët e para të vitit 2026 kanë nisur me aksidente të rënda rrugore, ku mëngjesin e sotëm një përplasje e fortë ka ndodhur në aksin Lezhë–Shkodër, pranë fshatit Gocaj. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën Petrit Florini, 53 vjeç, efektiv policie nga Puka, dhe bashkëshortja e tij, Elona Florini, 42 vjeçe, mësuese në Luf të Pukës.
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe tre pasagjerë që udhëtonin me automjetin tjetër, përfshirë një grua dhe dy fëmijë të mitur, të moshës 6 dhe 2 vjeç. Sipas mjekëve, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Forcat e zjarrfikësve ndërhynë për nxjerrjen e trupave, të cilët më pas u transportuan me ambulancë. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes.






