Qytetarët po bëhen gati për natën e ndërrimit të viteve, ndërsa spitalet dhe shërbimi i urgjencës ka gati planin për çdo situatë dhe emergjencë në ditët e festave. Kreu i urgjencës kombëtare, Skënder Brataj tregon për masat e shtuara të ekipeve të urgjencës ku grupe të posaçme do të ketë edhe pranë shesheve festive natën e vitit të ri.
“Janë forcuar ekipet, janë shtuar, janë shtuar materialet, janë shtuar medikamentet dhe sigurisht ne si urgjencë kemi dhe detyrë për gjithë sheshet e qyteteve që kanë festën, që shtojmë nga një ekip shtesë vetëm për sheshet ku do të bëhen këto koncerte dhe sidomos ai ndërrimi i viteve në orën 12:00 që është pak kritik edhe për ne veç faktit që njerëzit fatmirësisht dalin në shesh dhe festojnë edhe me nga një shishe shampanjë, por dalin dhe me fishekzjarrë dhe me kapsolla, gjë që mund të shkaktojë dhe aksidente”, thotë Brataj . “Kështu që janë marrë të gjitha këto masa. Është vënë dhe një listë gatishmërie për personel shtesë në rast se do të ketë nevojë”.
Nëse vendosni të konsumoni alkool me miqtë apo me familjarët, mos merrni më pas drejtimin e makinës. Brataj këshillon veçanërisht të rinjtë të bëjnë kujdes që ditët e festave mos kthehen në tragjedi. “Duhet të mendojmë përballë ke një prind, ke një fëmijë apo ke një të ri që po udhëton dhe gjendet në aksident duke humbur jetën për fajin tonë. Kështu që në qoftë se pi mos përdor makinën ose një nga kolegët apo nga shokët të mos pijë, të përdorë pije freskuese ose qëndro aty ku e ke organizuar ose përdor mjete të tjera, taksi apo në çfarëdolloj qoftë ajo”, thotë Brataj.
Referuar urgjencave dhe situatave vitet e kaluara, kreu i urgjencës kombëtare një mesazh të veçantë e ka edhe për prindërit. Bëni kujdes nga fishekzjarrët dhe mos i lini në duart e fëmijëve. “Mos e lër fëmijën vetëm me asnjë mjet piroteknik. Gjatë ndezjes duhet të jenë të rriturit që t’i shoqërojnë dhe drejtimi duhet të jetë drejt qiellit, sepse mund të shkojë te dritarja ose ballkoni përballë te komshiu. Mos u bëj kureshtar në qoftë se u ndez apo s’u ndez mos e drejto asnjëherë nga fytyra sepse aksidentet më të zakonshme janë këto: djegiet, qorrimi, deri në humbjen e komplet të shikimit, djegiet e gjymtyrëve në duart që ato i mbajnë, plagë të ndryshme nga shpërthimi i tyre”.
Djegiet nga fishekzjarrët dhe traumat nga aksidentet në rrugë janë urgjencat që ndodhin më shpesh në natën e ndërrimit të viteve ndërsa në shërbimin e toksikologjisë fluksi i urgjencave nga përdorimi i pijeve alkoolike të përziera shpesh me substanca narkotike ndihet në ditët e para të Vitit të Ri.






