Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka ngritur alarmin për gjendjen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke theksuar mungesën e gjyqtarëve dhe rritjen e vazhdueshme të stokut të çështjeve në gjykata, veçanërisht në apel.
Në një deklaratë për mediat teksa bëri bilancin e fundvitit, Sadushi u shpreh se sistemi gjyqësor funksionon aktualisht me vetëm 73.6% të kapacitetit të tij real.
“Mungesa e gjyqtarëve është problemi themelor i sistemit të drejtësisë. Aktualisht janë 307 gjyqtarë efektivë në detyrë, përballë 417 të parashikuar nga struktura organizative, çka do të thotë se sistemi funksionon me vetëm 73.6% të kapacitetit të tij, ose me 110 gjyqtarë më pak. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese nëse merret parasysh se deri në vitin 2028 nga Shkolla e Magjistraturës parashikohet të dalin jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj”, theksoi Sadushi.
Sipas tij, situata bëhet edhe më problematike nëse merren parasysh standardet e CEPEJ, sipas të cilave Shqipërisë do t’i nevojiteshin rreth 587 gjyqtarë për të përballuar në mënyrë normale ngarkesën gjyqësore.
“Nëse i referohemi standardeve të CEPEJ, Shqipërisë do t’i nevojiteshin rreth 587 gjyqtarë, çka nxjerr në pah një disproporcion të thellë ndërmjet nevojave reale dhe kapaciteteve aktuale të sistemit. Ky realitet dëshmon mungesë vizioni strategjik për hyrjet e reja në sistem”.
Ai e quajti domosdoshmëri marrjen e masave konkrete për korrigjimin e menjëhershëm të kuotave të pranimit në Shkollën e Magjistraturës.
“Në këtë panoramë të përgjithshme mungesash, gjykatat e apelit përbëjnë sot hallkën më kritike të sistemit gjyqësor, duke funksionuar me vetëm 55.9% të trupës gjyqësore të parashikuar, çka rrezikon seriozisht aftësinë e tyre për të përballuar volumin e çështjeve dhe për të garantuar afate të arsyeshme gjykimi”.
Sadushi theksoi se, pavarësisht kushteve të vështira, Gjykata e Lartë ka arritur të ulë backlogun me 61% gjatë pesë viteve të fundit, duke dhënë gjithsej 39.269 vendime dhe duke e reduktuar stokun në 14.081 çështje. Vetëm gjatë vitit 2025 janë dhënë 6.876 vendime, me një normë likuidimi prej 273%, shifra që sipas tij përfaqëson një stërmundim profesional dhe jo një normalitet institucional.
“Këto rezultate janë reale, por sistemi sot po prodhon backlog të ri për shkak të mungesave strukturore. Çdo ngarkesë që krijohet sot në shkallë të parë dhe apel, nesër do të jetë ngarkesë për Gjykatën e Lartë”, u shpreh Sadushi.
Ai evidentoi gjithashtu problematikën e cilësisë së dobët të rekurseve, ku një pjesë e madhe e tyre nuk kalojnë filtrin e pranueshmërisë, duke konsumuar kohë gjyqësore pa efekt real për drejtësinë. Sipas të dhënave, rekurset e papranueshme arrijnë deri në 82% në Kolegjin Penal. (newspower.al)






