Shkrimtari i njohur Stefan Çapaliku ka reaguar publikisht përmes një statusi në rrjetet sociale, duke ngritur shqetësime serioze mbi kushtet e autostradës Kashar–Milot dhe tarifat e paguara prej tij ndër vite. Duke iu referuar faturave të ruajtura që nga 4 janari 2025, Çapaliku deklaron se ka shpenzuar rreth 250 mijë lekë të vjetra për këtë segment rrugor, ndërkohë që, sipas tij, përfitimi ka qenë minimal dhe dëmet materiale e psikologjike të shumta. Ai e cilëson situatën si një formë keqpërdorimi dhe shpreh ndjesinë e të qenit një qytetar i dorës së dytë përballë një shërbimi që nuk justifikon koston e paguar.
Statusi i shkrimtarit Stefan Çapaliku:
Kam ruejtë të gjitha faturat që vërtetojnë se sa e kam pague atë copë autostrade prej Kasharit e deri te ura e Milotit, një herë në javë, kur kam shkue e ardhë nga Tirana në Shkodër, prej datës 4 janar 2025 e deri më sot. Duke i numrue faturat më rezulton se i paskam dhanë Shoqërisë aksionere G2 Infra Vorë, plot 250 000 lekë të vjetra. Si shpërblim kam rreshqitë disa herë ndër ditë me shi dhe kam damtue amortizatorët aty ku bashkohen urat me rrugën. Po t’i shtojmë këtyne shpenzimeve materiale edhe ato të nervave të pashembullta prej trafikut shtazarak, atëhere mundem me thanë pa drojë se ndjehem i vjedhun, i keqpërdorun dhe qytetar i dorës së dytë.






