Paqe. Paqe. Paqe. Gati tetë muaj pas zgjedhjes së tij në  fronin papnor, Leoni XIV rikthehet në lozhën qendrore të Bazilikës së Vatikanit për të përhapur pajtimin në çdo skaj të tokës. Në ditën e lindjes së Zotit, thirrja e tij e përzemërt rijehon në turmën e shtegtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, ende të lagur nga shiu i rrëmbyeshëm i orëve të fundit.

Në sfond, bien në sy skena e lindjes së Krishtit, shpella e Betlehemit nga zona Agro Nocerino-Sarnese, dhe Bredhi i Krishtlindjes, nga Val d’Ultimo, në provincën e Bolzanos. E bien në sy edhe ngjyrat e uniformave të Gardës Zvicerane e të Karabinierëve, ndërsa famfara luan himnin papnor dhe atë italian.

Paqja ndryshon botën

“Kush nuk do, nuk shpëton; është i humbur”, theksoi Papa Leoni XIV, duke i kujtuar qytetit dhe botës se “Zoti, që na krijoi pa ne, nuk mundet as të na shpëtojë pa ne”. Prej këndej, thirrja për “vullnetin e lirë për të dashur”:

Ja pra udha drejt paqes: përgjegjësia. Nëse secili prej nesh – në të gjitha nivelet – në vend që të fajësonte të tjerët, së pari duhet të pranonte mangësitë e veta dhe t’i kërkonte Zotit falje e, në të njëjtën kohë,  të vihej në petkat e njeriut që vuan, të bëhej solidar me kë është i ligshtë e i shtypur, atëhere bota do të ndryshonte

Të refuzojmë urrejtjen e të praktikojmë dialogun

Jezu Krishti është paqja jonë – vijoi Papa – dhe na tregon “rrugën që duhet ndjekur për të kapërcyer të gjitha konfliktet”, sepse pa zemër “të lirë nga mëkati e me zemër të falur”, nuk mund të jemi ndërtues të paqes.

Ai është Shpëtimtari. Me hirin e tij, secili prej nesh mundet e duhet të bëjë pjesën e vet për të refuzuar urrejtjen, dhunën dhe konfliktin e për të praktikuar dialogun, paqen e pajtimin.

Drejtësi dhe stabilitet për Lindjen e Mesme

Mendimi i Leonit XIV shkoi më pas tek të gjithë të krishterët, veçanërisht tek ata që jetojnë në Lindjen e Mesme, të cilët i takoi gjatë shtegtimit të fundit apostolik në Turqi e në Liban. “E kam dëgjuar frikën e tyre dhe e njoh mirë ndjenjën e ligshtisë së tyre përballë dinamikave të pushtetit, që i tejkalojnë”, theksoi Papa. Ftesa, pra, është të shikojmë Zotin që thotë: “Guxim: Unë e kam mundur botën”.

Prej Tij kërkojmë drejtësi, paqe dhe stabilitet për Libanin, Palestinën, Izraelin dhe Sirinë, duke besuar në këto fjalë hyjnore: “Ta praktikosh drejtësinë, do të sjellë paqen. Ta nderosh drejtësinë, do të sjellë qetësi e siguri përgjithmonë” (Isaia 32:17).

Rrënjët e krishtera të Evropës dhe lutja për Ukrainën e martirizuar

Nga Sheshi i Shën Pjetrit, në Vatikan, shikimi i Papës, Ipeshkvit të Romës drejtohet, më pas, tek i gjithë kontinenti evropian, për të cilin uron “shpirt bashkësie dhe bashkëpunimi, besnik ndaj rrënjëve të tij të krishtera” dhe historisë së tij të solidaritetit dhe pranimit të atyre që vuajnë. Prandaj, një lutje e veçantë për Ukrainën, e cila që nga shkurti i vitit 2022 vijon të jetë në qendër të një konflikti dramatik:

Të lutemi, prandaj, në mënyrë të veçantë për popullin e munduar ukrainas: pushoftë ulërima e armëve dhe palët e përfshira, të mbështetura nga angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare, gjetshin guximin për t’u angazhuar në një dialog të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe respektues.

Afërsi me viktimat e luftërave të harruara dhe me popullatat afrikane.

Paqe e ngushëllim kërkon Papa, që lutet edhe për “për viktimat e të gjitha luftërave, të cilat kërcënojnë botën, veçanërisht viset e harruara”, për ata që vuajnë nga padrejtësia, paqëndrueshmëria politike, persekutimi fetar dhe terrorizmi. Në qendër të shqetësimeve të tij janë “vëllezërit dhe motrat” ​​e Sudanit, Sudanit të Jugut, Malit, Burkina Fasos dhe Republikës Demokratike të Kongos.

Thirrje për t’i dhënë fund dhunës në Haiti dhe inkurajim Amerikës Latine

Nuk harron Papa as të urojë shpresë, paqe e pajtim për “popullin e dashur të Haitit”, në mënyrë që të gjitha format e dhunës në vend të pushojnë. Po kështu, udhëheqësit e Amerikës Latine inkurajohen “t’i bëjnë vend dialogut, për të mirën e përbashkët dhe jo për përjashtime ideologjike partiake”.

Shpresë për një të ardhme pajtimi për Mianmarin

Leoni XIV përmend edhe disa vende aziatike: për Tajlandën dhe Kamboxhian, të përfshira së fundmi në konflikte ndërkufitare, bën thirrje për rivendosjen e “miqësisë së tyre të lashtë”, ndërsa për popujt e Azisë Jugore dhe Oqeanisë, të prekur nga “fatkeqësi natyrore shkatërruese”, i nxit ta ripërtërijnë me bindje “angazhimin e përbashkët për të ndihmuar ata që vuajnë”. Më pas, një mendim për Mianmarin:

Princit të Paqes i kërkojmë ta ndriçojë Mianmarin me dritën e një të ardhmeje pajtimi: t’u rikthejë shpresën brezave të rinj, të udhëheqë të gjithë popullin birmanez në shtigjet e paqes dhe të shoqërojë ata që jetojnë pa strehë, pa siguri a pa besim në të ardhmen.

Jezusi identifikohet me banorët e Gazës dhe të Jemenit.

E fortë, në mesazhi e Papës, thirrja për të mos u mposhtur nga indiferenca ndaj atyre që vuajnë, “sepse Zoti nuk është indiferent ndaj mjerimeve tona”. Në të vërtetë, Ai “identifikohet me secilin prej nesh”:

Me ata që nuk kanë asgjë pas shpirtit e kanë humbur gjithçka, si banorët e Gazës; me ata që janë viktima të urisë dhe të varfërisë, si populli jemenas; me ata që po ikin nga atdheu i tyre për të kërkuar një të ardhme dikund tjetër, si shumë refugjatë dhe migrantë që kalojnë Mesdheun ose kontinentin amerikan; me ata që kanë humbur vendet e tyre të punës dhe me ata që po kërkojnë një të tillë, si shumë të rinj që luftojnë për të gjetur punë, me ata që shfrytëzohen, si shumë punëtorë të keqpaguar; me ata që janë në burg dhe shpesh jetojnë në kushte çnjerëzore.

Përfundon Jubileu, por jo shpresa.

Paqë që buron nga zemra, është ajo që e kujtoi Leoni XIV, i cili i bëri të vetat vargjet e poetit izraelit Yehuda Amichai, për të na ftuar t’i mirëpresim njerëzit që jetojnë në nevojë e në dhimbje:

Pas pak ditësh Viti Jubile përfundon. Mbyllen Portat e Shenjta, por Krishti, shpresa jonë, mbetet përgjithmonë me ne! Ai është Porta gjithnjë e hapur, që na çon në jetën hyjnore. (…) Në Të çdo plagë shërohet dhe çdo zemër gjen prehje e paqe. “Krishtlindja e Zotit është Krishtlindja e paqes”.

Urimet në gjuhë të ndryshme

Së fundmi, Papa shqipton urimet e tij për Krishtlindje në dhjetë gjuhë të ndryshme: italisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, spanjisht, portugalisht, polonisht, arabisht, kinezisht dhe latinisht:

Felix sit vobis Domini Nativitas! Pax Christi in vestris cordibus vestrisque familiis regnet

(E lumtur qoftë për ju Lindja e Zotit! Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat dhe familjet tuaja.)

Ndjesa Plenare

Në fund të mesazhit papnor, para bekimit “Urbi et Orbi” dhënë nga Leoni XIV, Kardinali Protodiakon Dominic Mamberti – i cili shoqëroi Papën së bashku me Kardinalin Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sekretarisë së Sinodit – njoftoi dhënien e faljes së mëkateve (indulgjencës plenare) “të gjithë besimtarëve të pranishëm dhe atyre që marrin bekimin e Tij përmes radios, televizionit dhe teknologjive të reja të komunikimit”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu