Këto janë fotografitë e momentit të rrëmbimit të biznesmenit Gerond Meçe, që sipas aksionit të disa ditëve më parë u mor peng me urdhër të Ergys Agasit në rastin që nuk tërhiqej nga gara për tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Nga dosja hetimore, SPAK pretendon se ky është momenti që tregon se në 12 gusht të këtij viti, në orën 10:41 në një automjet Range Rover të zi futet një person i ngjashëm me Gerond Meçen. Personat që SPAK thotë se do ta rrëmbenin sipërmarrësin, mbajnë të veshur uniformën e policisë dhe të agjentëve të BKH-së që i afrohen Meçes nën këtë cilësi. Dyshimet janë që dy biznesmenët e shpallur në kërkim disa ditë më parë, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal.
Në dosjen hetimore Prokuroria e Posaçme thotë se Ergys Agasi ka zhvilluar disa takime me drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Ata duken në një ambient të mbyllur të fiksuara nga kamerat e sigurisë që sipas hetimeve i ka vendosur vetë Ergys Agasi.
Në bisedat që ai zhvillon së bashku me biznesmenin tjetër, Ermal Beqiri i thotë se 2 do ta çojë 4 milionë euro, duke lënë të kuptohet se kemi të bëjmë me fryrjen e kostos në mënyrë të dukshme në disa procedura tenderimi.






