Entuziazmi i festave të fundvitit shpesh shoqërohet me konsum më të shtuar të alkoolit por edhe lëndëve narkotike, kryesisht nga të rinjtë. Megjithatë nuk mungojnë rastet kur konsumi i tepërt sjell helmime të cilat mund të kenë pasoja serioze për shëndetin.
“Të rinjtë janë më të ekspozuar për alkoolin, janë më të ekspozuar për drograt, për koktejle, alkool-drogë dhe koktejlet e tjerë. Të rinjtë i kanë momentet aty për aty, pa llogaritur pasojat të cilat mund të jenë afatgjata dhe të dëmshme”, thotë shefi i shërbimit të toksikologjisë në QSUT, Andrin Tahiri.
Bluzat e bardha redisin disa nga simptomat më të zakonshme të cilat shfaqen si pasojë e abuzimit me alkoolin dhe substancat narkotike.
“Humbje të koshiencës, humbje të vetëdijes, nuk orientohen, humbje të reflekseve që mund të jenë edhe dëme afatgjata”, thotë Tahiri.
Shefi i Shërbimit të Toksikologjisë pranë QSUT Andrin Tahiri, në këto ditë festive u drejtohet qytetarëve me një mesazh të qartë:
“Festat zgjasin pak, zgjidhjet e gabuara mund të lënë pasoja për një kohë shumë të gjatë, alkooli dhe droga nuk ju bëjnë kurrë më interesant, vendimet e qarta po. Festoni fort, gëzoni fort, pa i bërë dëm vetes. Kush di të dojë veten di të bëjë zgjedhjen e duhur”, thotë Tahiri.
Nuk mungojnë as rastet kur shumë të rinj janë përfshirë në aksidente, të cilat kanë sjellë edhe humbje jetësh, e kjo si pasojë e konsumit të tepërt të alkoolit.






