Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” mbylli vitin 2025, me ekspozitën “Olbania”, që solli për publikun projektin e kolektivit artistik italian Alterazioni Video, një reflektim i hollë mbi imazhin, kujtesën dhe ndërtimin e identiteteve në hapësirën digjitale. I konceptuar në vitin 2009 gjatë Bienales së 3-të të Tiranës, projekti merr emrin nga një keqshkrim i përhapur në forumet e fillimviteve 2000, i cili u shndërrua në një territor fiktiv online, të ngarkuar me stereotipe dhe mitologji ballkanike. Duke u nisur nga historia e ndërthurur mes Shqipërisë dhe Italisë, nga emigrimet, ndikimet mediatike dhe qarkullimi i vazhdueshëm kulturor, “Olbania” dokumenton një moment kyç kalimi: nga televizioni italian drejt internetit global.
Luçian Bedeni, drejtor i muzeut të fotografisë “Marubi”
Alessandro Ruggera, drejtor i institutit Italian
(Ajo që shohim sonte është vështrimi i një kolektivi artistësh italianë mbi realitetin shqiptar, të fundit të viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000; është një vështrim argëtues, në njëfarë mënyre edhe i tërthortë, ashtu si edhe mbishkrimi që ndodhet këtu në dysheme. Nuk është një vështrim dokumentar i drejtpërdrejtë, por një vështrim i hedhur mbi një përfaqësim të krijuar nga vetë shqiptarët. Kjo është interesante: bëhet fjalë për imazhe që në fakt janë realizuar nga kushdo, nga të gjithë, pra nga një arkiv i përgjithshëm i gjeneruar jo nga një autor i vetëm, por nga një autor kolektiv; më pas ato janë riorganizuar, përzgjedhur dhe rishikuar përmes vështrimit të artistëve, me vështrimin e tyre ironik dhe tërthor. Përtej vlerës shumë të bukur dhe cilësisë shumë të lartë të punës, mendoj se është interesante edhe një herë të gjejmë këtë marrëdhënie të ngushtë, këtë vështrim të kryqëzuar dhe këtë dëshirë për të komunikuar mes Italisë dhe Shqipërisë në planin artistik, në planin e imazhit, në planin e njohjes dhe rishikimit të historisë së njëri-tjetrit. Ashtu siç italianët këtu shikojnë një histori të kaluar të Shqipërisë, po ashtu siç shpesh shqiptarët kanë parë historinë italiane. Me pak fjalë, është një marrëdhënie që, si të gjitha marrëdhëniet, duhet kultivuar vazhdimisht dhe nuk duhet marrë kurrë si e mirëqenë; duhet mbajtur gjithmonë e gjallë përmes veprimeve të reja, ndërhyrjeve të reja, dhe kjo është njëra prej tyre).
Gjatë një muaji kërkimi online, Alterazioni Video krijuan një arkiv prej mbi 600 polaroidesh, në një proces bashkëpunimi aksidental me përdoruesit e rrjetit. Ekspozita vendos projektin në dialog me traditën e hershme të imazhit në Shqipëri, duke kujtuar figurën e Pietro Marubbit, emigrantin italian që solli fotografinë në vend në vitin 1865.
Sara Dolfi Agostini, kuratore
(Kjo është një ekspozitë e lindur nga një pjesëmarrje kolektive, në njëfarë kuptimi edhe e pavullnetshme, në këtë projekt artistik të Alterazioni Video. Artistet vendosën të fillonin një seri kërkimesh që unë i kam quajtur, në tekst, “safari interneti”. Në fakt, nga divani i tyre në Itali, ata nisën të kërkonin këto imazhe që lidhen me Shqipërinë. “Olbania” në të vërtetë është një Shqipëri tjetër: është një Shqipëri që populli i internetit e ka shpikur në një periudhë shumë interesante, një periudhë tranzicioni teknologjik mes viteve 2009 dhe 2010, kur u kalua disi nga televizioni italian, mund të themi, drejt përdorimit të platformave ndërkombëtare si Flickr, Picasa, platforma që sot ende ekzistojnë, por që nuk përdoren më aq shumë sa atëherë. Dhe kështu, në mënyrë shumë spontane, më vjen të them, njerëzit, qofshin shqiptarë apo jo shqiptarë, por gjithsesi me një lidhje me mitologjitë dhe stereotipet ballkanike, ngarkonin materialet e tyre, dhe këto materiale mund të shkarkoheshin lirshëm dhe të ruheshin në desktop. Kjo është ajo që bëri Alterazioni Video).

“Olbania” shfaqet kështu si një kapsulë kohore vizuale, ku realja dhe virtualja ndërthuren, duke ftuar publikun të reflektojë mbi mënyrën se si interneti prodhon, deformon dhe ruan kujtesën kolektive.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu