Prek Cali nuk ishte thjesht një burrë; ai ishte një institucion. I gjatë rreth 2 metra, “Bajraktari” prijësi i Kelmendit kishte kaluar një jetë të tërë me pushkë në dorë duke mbrojtur kufijtë e Shqipërisë në Plavë e Guci nga synimet shoviniste. Ai ishte njeriu që kishte hapur dyert e Kullës së tij për të gjithë atdhetarët.

Por, në vitin 1945, atdheu që ai mbrojti, u kthye kundër tij. Partizanët rrethuan Kullën e tij në Kelmend. Për të mos rrezikuar gratë dhe fëmijët që ishin brenda, Prek Cali bëri aktin sublim: u dorëzua. Kur doli para gjyqit ushtarak, i akuzuar si “armik i popullit”, ndodhi dialogu që ka mbetur në histori. Prokurori/Gjykatësi, duke u munduar ta poshtëronte këtë kolos, i tha:

“Ti je reaksionar, ke punuar kundër popullit!”

Prek Cali, i lidhur me zinxhirë, por me kokën lart, iu përgjigj me një qetësi që i ngrin gjakun kujtdo:

“Zotëri, kur unë luftoja për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë nga hasmi, ju ishit ende duke u pshurrë në shpërganj!”

“Unë jam këtu ndër të tjera, për me marr pergjegjesin e luftës kundra partizanve që u ba në Kelmend. Dhe për t’drejt tjetër nuk keni pse m’akuzoni. Kam luftue kundra shkjeve, kur deshten me na nda prej nanes Shqipni dhe kam mbrojt at çka asht e jona. Mundësi ma të madhe nuk kam pas. Vërtet jam malsor pa shkoll, por jam shqiptar. Ju m’keni marr ne bes e s’kam nevoj me ju kerkue falje. Un as Mbretit si kam kerkue falje, kur m’ka denue se isha opozitar…”

Dhe shtoi fjalët lapidare:

“Bajraktar nuk më ka bërë as Kral Nikolla, e as Zogu, por më ka bërë populli im i Kelmendit. Shtëpia ime ka qenë kështjellë e Shqipërisë, kur ju nuk ishit asgjëkund.”

Prek Cali u pushkatua ditën e Zojës, më 25 Mars 1945. Kur e pyetën për dëshirën e fundit, ai tha thjesht: “Më lironi duart, se dua të bëj kryq.”

Një jetë luftë për kufijtë, dhe një vdekje me nder. Prek Cali mbetet “Mbreti i Maleve” që nuk u gjunjëzua kurrë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu