Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për shqyrtim ankimin e kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të GJKKO-së që pezulloi Belinda Ballukun nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës. Trupa e gjyqtarëve të Kushtetueses u nda 5 me 3, ndërsa tashmë pritet të caktohet edhe relatori i çështjes dhe data kur do të shqyrtohet ankimi.
Ende nuk raportohet të ketë një vendimmarrje mbi kërkesën e qeverisë për pezullimin e vendimit të GJKKO-së për Ballukun, deri në shqyrtimin e ankimit të Ramës, i cili me kalimin për shqyrtim legjitimohet edhe si palë në çështje.
Çfarë kërkon qeveria në Kushtetuese?
Qeveria kërkon të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj dhe GJKKO-së dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.
Parashikimi kushtetues, sipas të cilit anëtari i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit, është pika kryesore mbi të cilin kryeministrit Edi Rama ka ndërtuar ankimin. Sipas ankimit, përsa kohë nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, kjo s’mund të ndodhë as për një ministër.
Në ankimim flitet për ndërhyrje të pastër në kompetencat e një tjetër pushteti, siç është ai ekzekutiv, dhe se GJKKO ka marrë attribute që nuk ia njeh Kushtetuta. Qeveria nuk e ka ankimuar në Kushtetuese masën tjetër të sigurisë për ndalimin e daljes jashtë shtetit.
Më 20 nëntor, Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyrazv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është marrë e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar. SPAKka bërë të ditur se po heton dhe një sërë procedurash të tjera prokurimi.






