“Punimet për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Balldre parashikohet në nisin në mes të vitit të ardhshëm”. Zv.ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Enkelejda Muçaj ka dhënë detaje mbi ecurinë e përzgjedhjes së kompanisë që do të kryejë punimet dhe lidhjen e kontratës për këtë segment.
Gara koncesionare për ndërtimin e aksit rrugor Milot – Balldre u mbyll në muajin tetor, duke i hapur rrugë shqyrtimit të ofertave të dorëzuara nga kompanitë.
Në total janë 3 kompani që kanë shfaqur interes, ndërkohë që nëse edhe kjo fazë përmbyllet me sukses, atëhere do të vijohet me nënshkrimin e kontratës me kompaninë fituese dhe nisjen e punimeve për këtë segment të rëndësishëm, pjesë e korridorit Adriatiko – Jonian.
Gara koncesionare synon pikërisht gjetjen e një kompanie private që do të ndërtojë aksin, një proces që sipas dokumenteve të tenderit parashikohet të zgjatë 30 muaj nga nënshkrimi i kontratës.
Vlera totale e parashikuar e projektit është rreth 365 mln euro, pa TVSH, ndërsa kohëzgjatja e kontratës do të jetë 35 vjet. Aksi Milot-Balldre është i gjatë rreth 17 km.






