Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave vendosi shpalljen “zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Shkodër në kuadër të ligjit “Për paketën e maleve”.

V E N D I M PËR SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË SHKODËR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen “zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Shkodër, si më poshtë vijon:

a) Zona nr.1, njësia administrative Shalë, fshati Theth, zona kadastrale 3597, me sipërfaqe 2286.3 (dy mijë e dyqind e tetëdhjetë e gjashtë pikë tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH të paraqitur mbi ortofoto;

b) Zona nr.2, njësia administrative Shalë, fshati Nderlysaj, zona kadastrale 2771, me sipërfaqe 425.9 (katërqind e njëzet e pesë pikë nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH të paraqitur mbi ortofoto;

c) Zona nr.3, njësia administrative Guri i Zi, fshati Rragam, zona kadastrale 3148, me sipërfaqe 474.5 (katërqind e shtatëdhjetë e katër pikë pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH të paraqitur mbi ortofoto;

ç) Zona nr.4, njësia administrative Guri i Zi, fshati Sheldi, zona kadastrale 3329, me sipërfaqe 388 (treqind e tetëdhjetë e tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH të paraqitur mbi ortofoto;

d) Zona nr.5, njësia administrative Guri i Zi, fshatrat Mazrek – Shpor, zona kadastrale 2624, me sipërfaqe 845.8 (tetëqind e dyzet e pesë pikë tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH të paraqitur mbi ortofoto.

2. Shtrirja, kufijtë, pikat e hyrjes dhe të daljes së kësaj zone përcaktohen në hartën treguese, sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Llojet e aktiviteteve, që do të zhvillohen në këtë zonë, janë:

a) të zhvillimit ekonomik;

b) industriale;

c) turistike.

4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I EDI RAMA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu