Erzen Uka, i arrestuar gjatë aksionit të forcave RENEA në Fushë-Arrëz, është paraqitur mëngjesin e sotëm në urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës për mjekimin e një plage në këmbë. Pas vetëdorëzimit, autoritetet konstatuan se Uka ishte i plagosur dhe, nën masa të rrepta sigurie, ai u shoqërua drejt spitalit për trajtim mjekësor. Ndërkohë, si Uka, ashtu edhe Julian Çumraku vijojnë të qëndrojnë në paraburgimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në pritje të seancës gjyqësore. Deri tani, të dy të arrestuarit nuk kanë dhënë asnjë deklaratë përpara grupit hetimor. Burime per newspower.al bejne me dije se Erzen (Hamza) Uka dhe shoku i tij, Julian (Adem) Cumraku, të cilët u arrestuan pas dyshimeve se po përgatisnin sulm terrorist, janë ndihmuar edhe nga një person i tretë. Dy të shoqëruarit mendohet se jetonin në kullën e fshatit të thellë malor prej rreth një muaji. Nga hetimet e Policisë rezulton se këta dy persona janë mbështetur edhe nga një i tretë, i cili ka udhëtuar shpesh nga Tirana në drejtim të Fushë-Arrëzit dhe Oroshit. Një person me flokë të gjata është parë edhe në lokalet e qytetit të Fushë-Arrëzit me Ukën dhe Cumrakun. Personi i tretë, i cili disponon edhe automjet, nuk ka frekuentuar dyqanet e Fushë-Arrëzit. Herën e fundit, kur është parë, gjatë mbrëmjes së 18 nëntorit, Uka dhe Cumraku kanë bërë blerje, ndërsa ai ka qëndruar në këmbë në një zonë me pak ndriçim në qendër të qytetit ish-industrial. Personi me flokë të gjata të lidhura dhe pantallona kamuflazhi është parë herë pas here, madje edhe duke bërë dru, me Ukën dhe Cumrakun. Dy të shoqëruarit, në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, në pritje të masës së sigurisë, deri tani nuk kanë folur para oficerëve gjyqësorë dhe atyre të antiterrorit që po merren me hetimin, duke i cilësuar “shejtan”, ndërsa kanë pohuar se mund të japin llogari dhe të gjykohen vetëm nga Zoti. Nw fshat ata kane frekuentuar xhaminë e fshatit Kryezi. Xhamia mësohet se është jashtë kontrollit të Myftinisë së Pukës dhe nuk rezulton as si pronë në inventarët e këtij institucioni. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Myftinia e Pukës bëjnë të ditur se kanë vendosur të mos reagojnë ndaj situatës, duke iu përmbajtur qëndrimeve të mëparshme ndaj rasteve të tilla. Pas dorëzimit, kontrolli në brendësi të banesës zbuloi një arsenal të plotë luftarak:4 armë automatike 1 pistoletë 17 granata dore difensive 2 mijë fishekë, Kapsolla detonatore elektrike, Fitil zjarrpërcjellës Dy gëzhoja. Në mur, mes armëve, ishte vendosur një flamur i organizatës terroriste ISIS. Prokuroria e Shkodrës po heton Erzen (Hamza) Uka dhe Julian Cumraku për veprat penale: Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave terroriste, Prodhimi i armëve luftarake, Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik, mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu