NEWSPOWER.AL ka siguruar fotot e arrestimit të Hamza ( Erzen) Ukës dhe Julian Cumrakut, të cilët iu dorëzuan forcave RENEA dje pas 12 orësh negociata ndërsa ishin fshehur në një banesë në fshatin Orosh të Fushë-Arrëzit. Të dy mendohet se qëndronin të fshehur në këtë banesë prej 2 muajsh. Uka ka qenë ish-pjesëtar i forcave paqeruajtëse të Shqipërisë në Irak, dhe është i njohur për policinë për veprime ekstremiste.
Policia, në një njoftim zyrtar, zbardh dinamikën e ngjarjes. Dyshimet nisën pas një kontrolli në terren rreth orës 09:00, ku njëri prej tyre, pasi ka parë efektivët, është larguar me shpejtësi duke hyrë në një banesë të braktisur. Policët i kanë bërë thirrje që të dilte nga banesa, por ka refuzuar dhe i ka kërcënuar.
Më pas, me ndërhyrjen e forcave RENEA, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave speciale. Pas 12 orësh negociata dhe me thirrjet e familjarëve të tyre, ata janë dorëzuar. Kur është dorëzuar, thotë policia, Erzen Uka kishte një dëmtim në kofshën e djathtë, dhe është dërguar në spitalin e Shkodrës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas dorëzimit, u ushtrua edhe një kontroll në banesë, ku u gjetën 5 armë, 4 automatike dhe 1 pistoletë, një flamur i ISIS i vendosur në faqen e murit ndërmjet armëve të zjarrit, 17 granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore elektrike për shpërthimin e lëndëve eksplozive, fitil zjarrpërcjellës që përdoret për shpërthimin e lëndëve plasëse e dy gëzhoja.
Policia thotë se 35-vjeçari Erzen Uka u arrestua për veprën penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”, ndërsa 34-vjeçari Julian Cumraku me akuzën e vjedhjes dhe kanosjes. Materialet në Prokurori janë referuar për veprat penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, “Prodhimi i armëve luftarake”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Cumraku dhe Uka ishin prej kohësh nën vëzhgimin e Antiterrorit. Uka, ish-pjesëtar i Forcave paqeruajtëse të Shqipërisë në Irak u dënua në vitin 2020 nën akuzën e nxitjes terroriste. Në vitin 2015, ai u arrestua për përgatitjen e fëmijëve për t’u bashkuar me ISIS, akuzë që aso kohe solli përplasje të forta mes Ukës dhe gjyqtarit Bibë Ndreca.
Ndërsa Julian Cumraku, babai i një vajze, ka qenë emigrant në Francë, me precedentë të mëparshëm penal dhe i konsideruar si person i rrezikshëm për shkak të dinakërisë që e karakterizonte. Madje, në kontaktet e rralla me banorët e fshatit, ai u thoshte se i njihte, duke iu cituar edhe emrat, me qëllim t’i vinte nën presion që të mos flisnin.
Erzen (Hamza) Uka është i njohur për policinë. Ai ka qenë komando dhe ka shërbyer në Irak dhe Afganistan. Në Prill të vitit 2019, u arrestua nga Antiterrori pas dyshimeve për prirje radikale dhe nxitjen e urrejtes me qëllim kryerjen e veprave terroriste. Uka konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë, dhe survejohej prej vitit 2007.Në shtator të vitit 2020, ai u dënua me 3 vite burg nga gjykata e Tiranës për akuzën e “Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.Pas arrestimit, Uka kërcënoi asokohe edhe gjyqtarin Bib Ndreca dhe prokurorin Eugen Beci, duke i paralajmëruar se do të japin llogari sapo ai të dalë nga burgu. Ai u arrestua pasi publikonte video në Facebook me përmbajtje ekstremiste si dhe stërviste fëmijët me qëllim për t’i dërguar si luftëtar të ISIS.






