Në mbledhjen e parë të Komisionit dy baskëkryetarët, që do të drejtojnë punimet e reformës territoriale, Arbjan Mazniku i socialistëve dhe luciano boci i demokratëve nuk arritën të ulen bashkë. Megjithatë ata e kanë të qartë mbi cilat shina duhet të ecin.
“Na duhet të kemi institucione vendore të cilat janë të afta të operojnë në linjë me politikat e Brukselit për të tërhequr sa më shumë financime. Nuk është territori objektiv në vetvete. Kompetencat, burimet financiare dhe njerëzore në një territor të caktuar. Duhet t’I analizojmë të treja”. “Ndarja territoriale të jetë e përputhshme me karakteristikat ekonomike, gjeografike të zonave, me lidhjen e komunitete, historike. Të kenë një diferencë të pranueshme midis tyre në tendencat e zhvillimit”
Demokratët do të vijojnë ti qëndrojnë kërkesës për shtim të numrit të bashkive.
“Mos nisemi nga një numër virtual, duam më shumë bashki dhe të përcaktojmë një numër. Ne duam ndarje më të drejtë dhe kjo na kushtëzon të themi se duhen më shumë njësi vendore. Mos kemi tendencë të ngushtimit të tyre. Propozimi për më shumë bashki”
Por pritet të shihet sa mbështetje do te gjejnë tek mazhoranca e komisionit, që ka argument të kundërt nga ata.
“Nuk është rruga më e mbarë që ne të shkojmë drejt një propozimi numrash që më së shumti priret nga logjika të kemi më shumë bashki që të fitojmë ne sa më shumë. Problemi që ne kemi është që të gjitha të dhënat tregojnë që bashkitë më të vogla ofrojnë shërbim më të keq. E kanë raportin e numrit të stafit për banorë më të lartë, shpenzojnë më shumë para për paga se shërbime.”
Mazniku thotë se nuk është territori objektiv në vetvete të kësaj reforme por një propozim e ka, që sic duket do të haset në kundërshtimin e demokratëve.
“Pjesë e diskutimit është a bën sens që në një nivel të ndërmjetëm të cojmë më shumë funksione? Tashmë që në arkitekturën e Kushtetutës është caktuar që ne kemi një sistem me dy nivele, bashki qark, apo në një nivel të ndërmjetëm, disa bashki që krijonë më shumë si një entitet”
“Kam dëgjuar që mund të ketë propozim për kryebashi, ose bashki qendër me bashki periferike. Për mua është diskriminim. Bashkitë duhet të kenë të njëjtën rëndësi pavarësisht territoreve që mbulojnë apo ku janë. Këtë të bashkive qendër nuk e pranojmë”
Ndarja në rajone e rajonit pritet të rikthehet sërish në debat.
“ Duhet diskutuar si element, është një diskutim që impakton jo pak dhe mënyrën si organizohet jo vetëm pushteti vendor, por edhe pushteti i dekoncentruar, është një pushtet i qeverisë, por ndodh në territor”.






