Kryeministri Edi Rama komentoi për herë të parë vendimin e GJKKO-së për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra, duke e quajtur një vendim antidemokratik dhe një akt brutal që ndërhyri në pavarësinë e ekzekutivit. Kreu i qeverisë shprehu edhe njëherë qartë qëndrimin e tij se në asnjë rast nuk do të luftohet kundër drejtësisë, duke theksuar se edhe në këtë rast vendimi për pezullimin e Belinda Ballukut do të respektohet. Por, Balluku nuk do të zëvendësohet nga dikush tjetër. Qeveria do ta zbatojë vendimin e GJKKO-së, pa e shkarkuar atë nga pozicioni i zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe ndërkohë do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Kësaj të fundit do t’i kërkojnë të vendosë nëse GJKKO mund të pezullojë nga detyra një anëtar qeverie.
“Mbrojta e pavarësisë së re dhe jo të përkohshme të sistemit të drejtësisë është prioriteti ynë absolut edhe përballë situatave kaq flagrante sa kjo situatë për të cilën po drejtësia duhet të gjejë përgjigjen në kushtetuese. Do ta respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres por do të shkojmë të mbrojmë pavarësinë e pushtetit ekzekutiv në Gjykatën Kushtetuese. Për periudhën që flasim (deri në vendim të Gjykatës Kushtetuese) qeveria nuk do të ketë zv.kryeministër dhe ministër të infrastrukturës së energjisë”, tha Rama.
Kryeministri e quan të gabuar ndërhyrjen e SPAK dhe GJKKO për të urdhëruar pezullimin e një ministri. Në konferencën krah Marta Kos pas samitit për Planin e Rritjes, kryeministri tha se vendimi i GJKKO-së është shfaqje e një pushteti krejt të ri dhe reflekseve antidemokratike.
“Pezullimi nga detyra i një ministri në këtë rast edhe zv.kryeministrit, drejtpërdrejtë për drejtimin e qeverisë është shfaqje e këtyre dobësive, të një pushteti krejt të ri dhe reflekseve antidemokratike. Rast unikal në historinë e Europës dhe në historinë e trupave speciale të drejtësisë që janë krijuar në proceset e integrimit. S’ka ndodhur kurrë një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie”, tha Rama.
“U soll këtu BE, si një pikë referimi se çfarë duhet të ndodhë. Nuk ka qëndrim uniform në BE, por ajo që është më e rëndësishme sesa kjo është që nuk bën vaki në BE që njerëzit të pezullohen nga funksionet, unike në historinë e Evropës, duke qenë të zgjedhur. Nuk bën vaki në BE që kryetari i bashkisë të merret nga zyra dhe të çohen në burg, pa gjyq dhe të mbahen në paraburgim për muaj e muaj të tërë, nuk bën vaki në BE, që sçc e thotë jo qeveria e Shqipërisë por Komisioni i Torturës i Strasburgut, një vend të ketë më shumë të paraburgosur sesa njerëz të gjykuar të burgosur me gjyq. Në këtë pikë, besoj se të gjithë duhet të bëjmë punën dhe të luajmë rolin tonë. Ne kemi tonin, roli ynë është që të jemi garant të kësaj pavarësie të drejtësisë që Shqipëria po njeh për herë të parë në historinë e vet, ta mbrojmë këtë pavarësi të gjyqësorit edhe kur rëndon mbi në formën e një padrejtësie sipas nesh, që e përsëris nuk ka të ngjashme në Evropë dhe të respektojmë kufirin tonë, pa hyrë në territorin e një pushteti tjetër të pavarur por nga ana tjetër, të gjithë duhet të bëjnë detyrën e tyre. Nuk mund të hyjmë në territorin e një pushteti tjetër të pavarur, kjo vlen edhe për pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ. “, tha Rama.






