“Forcimi i bashkëpunimit për parandalimin e trafikimit të paligjshëm të objekteve kulturore” ishte në qendër të një takimi të zhvilluar në Shkodër, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës, institucioneve ligjzbatuese, drejtorive rajonale të trashëgimisë kulturore, organizatave joqeveritare dhe aktorëve të tjerë vendorë. Në këtë aktivitet, i organizuar në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore pa kufi”, u vu theksi tek domosdoshmëria e forcimit të kapaciteteve lokale dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në zbatimin e ligjit për të luftuar fenomenin që vijon prej më shumë se tre dekadash, duke varfëruar fondin e artefakteve të vendit.
Rajoni i Shkodrës, për shkak të pozicionit të tij kufitar, është ndër më të prekurit nga rastet e vjedhjes dhe trafikimit të objekteve kulturore, si edhe nga gërmimet e paligjshme në sitet arkeologjike.
Që nga fillimi i viteve ’90, në shkallë kombëtare janë regjistruar rreth 2200 raste vjedhjeje dhe trafikimi të objekteve të trashëgimisë kulturore, por shifra reale e rasteve të tilla mendohet të jetë shumë më e lartë. Ky aktivitet është pjesë e një nisme më të gjerë për të luftuar trafikimin e objekteve të trashëgimisë kulturore shqiptare, përmes forcimit të bashkëpunimit dhe rritjes së kapaciteteve të institucioneve në nivel lokal dhe kombëtar.






