Gjykata e Posaçme mbyll RTV Ora.
Me vendimin e sotëm Gjykata e Posaçme pranon kërkesën e SPAK për të konfiskuar pasuritë e presidentit të “Yldon Media Group” Ylli Ndroqi.
Avokatët thonë se vendimi është me prapavijë politike pasi nuk ka asnjë mbështetje ligjore madje rrëzon dhe ekspertizën që bënë vetë ekspertët e gjykatës.
Jordan Daci: “Është e pashpjegueshme. Këto vendime fatkeqësisht të bëjnë të humbasësh besimin në sistemin e drejtësisë në mënyrë të pariparueshme. Nuk ka asnjë lloj logjike juridike, ligjore apo financiare. Mezi presim të lexojmë vendimin. Por unë nuk di çfarë do të shkruajë ajo gjyqtare pasi për mua nuk ka çfarë shkruan. Ajo më mirë të shkruajë desha unë siç deshi prokuroria ta marrë dhe po I marr dhe pikë pasi çdo gjë tjetër nuk do të ketë vlerë.”
Një vendim me prapavijë qartazi politike e quajtën avokatët në një prononcim për median pasi mbaroi seanca në Gjykatën e Posaçme.
A ka prapavijë politike?
Avokati Besnik Muçi: Sa kohë që është një vendim haptazi në kundërshtim me ligjin nuk ka arsye tjetër veç prapavijës politike. Qëllimi është mbyllja e një medie në Shqipëri që nuk pëlqehet nga politika. Kjo është arsyeja sa kohë që nuk gjejmë asnjë arsye që ky vendim të jetë mbështetur në ligj.
Por ndërsa një betejë u humb lufta nuk mbaron. Avokati Enis Daci tha se beteja do të vijojë në Strasburg.
Avokati Enis Daci: “Një betejë u humb sot. Ishte betejë fatkeqësisht e paracaktuar diktuar dhe orkestruar. Beteja tjetër do të jetë në Strasburg. Do të shohim çfarë do të thotë gjykata Ndërkombëtare për vendimin e sotëm”




