Kombëtarja shqiptare e futbollit këtë muaj mund të shkruajë një kapitull të rëndësishëm në historinë e saj. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Sylvinho luajnë dy ndeshjet e fundit për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Më 13 nëntor Shqipëria përballet me Andorrën në udhëtim, ndërsa tre ditë më vonë në Tiranë vjen Anglia (e kualifikuar).
Trajneri Sylvinho do të publikojë listën me lojtarët e grumbulluar ditën e premte, më 7 nëntor. Më pas, ai do të dalë në konferencë për mediat në “Shtëpinë e Futbollit”, ku do të flasë për listën dhe për dy sfidat e fundit kualifikuese. Grumbullimi zyrtar i Kombëtares do të nisë të hënën, në Barcelonë.
Ndeshja Andorra – Shqipëri do të luhet më 13 nëntor, në “Estadi FAF Encamp”, në orën 20:45. Sfida e fundit e kuqezinjve në këto kualifikuese do të zhvillohet më 16 nëntor, në stadiumin “Air Albania”, ndaj Anglisë, në orën 18:00.
Tanët mbajnë vendin e dytë me 11 pikë, një më shumë se Serbia dhe kanë shanse reale për vendin e dytë që të dërgon në fazën play-off, nga ku do kërkohet një biletë për në finalet e Botërorit që verën e ardhshme do zhvillohet në Amerikën e Veriut. Tanët janë të favorizuar pasi edhe rivalët direkt, Serbia, ka ndeshje kundër Anglisë në Londër dhe në rast të një humbje të serbëve, kombinuar me një fitore në Andorra do i dërgonte kuqezinjtë në play-off.






