Punimet në kantierin e punës në hyrje të Shkodrës që pritet të transformojë zonën po ecin me ritmin e duhur.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale, pamje të kantierit të punës në hyrje të Shkodrës.
Kryeministri e cilësoi këtë një ndërhyrje dinjitoze që po transformon zonën me rrugë, shtigje për biçikleta, trotuare, ndriçim e shumë gjelbërim.
Projekti i ri për hyrjen e qytetit të Shkodrës, i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe mbështetur nga qeveria, synon transformimin e kësaj zone në një hapësirë shumëfunksionale dhe argëtimi.
Ky projekt përfshin krijimin e një parku prej 17-18 hektarësh, që do të përmbajë mjedise sportive, shëtitore për këmbësorë dhe biçikleta, pika panoramike për të shijuar pamjet e liqenit, si dhe hapësira për aktivitete dhe koncerte.
Pjesë e projektit janë edhe fushat e reja sportive dhe një mol i ri, që do të lidhet me mole të tjera në Shirokë dhe Zogaj.






