Shqipëria ka bërë përparime në disa sektorë gjatë këtij viti, vlerëson Bashkimi Europian. Duke e cilësuar si një kohë të përshtatshme për të vijuar me procesin e negociatave dhe mbylljen e grupkapitujve, në dokumentin e progres-raportit për vitin 2025, kryefjalë mbetet reforma në drejtësi e cila është parë pozitivisht edhe këtë vit. BE vendos nota të larta ndaj punës së SPAK duke theksuar se ka përparuar qartë në luftën kundër korrupsionit.
Komisioni Europian: Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka forcuar rezultatet e saj pozitive dhe ka krijuar një rekord solid në ndjekjen e korrupsionit në nivele të larta, përfshirë rastet me zyrtarë dhe politikanë të rëndësishëm. Megjithatë, korrupsioni mbetet i përhapur në sektorë të ndjeshëm. Kuadri institucional për parandalimin e korrupsionit ka ndikim të kufizuar. Rekomandohet që kontrolli i deklarimeve të pasurisë të bëhet më efektiv dhe transparent, dhe deklaratat e personave politikisht të ekspozuar të publikohen online.
Rekomandimet e unionit shkojnë më tej, duke kërkuar nga vendi ynë që të përshpejtohen reformat në mënyrë që të zgjidhen dhe problematikat që mund të vijnë nga sistemi i gjyqësorit.
Komisioni Europian: Shqipëria të përshpejtojë reformat në sundimin e ligjit. Cilësia e drejtësisë pengohet nga mungesa e mjaftueshme e magjistratëve dhe nga vonimi në zbatimin e plotë të sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve, që pritet të përfundojë vetëm në 2030, një afat që konsiderohet “dëmprurës”.
Ashtu si raporti i OSBE-ODIHR, edhe BE e ka cilësuar polarizimin politik si një çështje e cila mund të cënojë në të ardhmen vendimet demokratike.
Komisioni Europian: Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 u vlerësuan si konkurruese dhe profesionale nga OSBE/ODIHR, por me mungesë të “fushës së barabartë” dhe abuzim me burimet publike. Polarizimi politik mbetet i lartë, parlamenti ka mungesë mbikëqyrjeje ndaj ekzekutivit dhe vendimmarrja shpesh anashkalon konsultimet publike.
BE nuk i kurseu vlerësimet edhe sa i përket rritjes ekonomike, teksa ulja e inflacionit u cilësua si një punë e mirë. Megjithatë pati një qasje kritike ndaj investimeve publike.
Komisioni Europian: Ekonomia shqiptare ka ruajtur rritje të fortë të nxitur nga turizmi dhe konsumi i brendshëm. Inflacioni u ul nën objektivin e Bankës së Shqipërisë dhe borxhi publik vazhdoi të bjerë. Megjithatë, të ardhurat buxhetore janë të ulëta dhe investimet publike shpesh nuk realizohen plotësisht.
Ndërkaq në progres raport, Shqipëria mori nota të larta në drejtësi, energji dhe politikë të jashtme. Notat mesatare u vunë në sektorin e administratës publike ku kërkohet më tepër angazhim në punësimin e profesionistëve. Në progres raport vihet theksi edhe te mjedisi, kapitulli më i vështirë për Shqipërinë lidhur me negociatat drejt BE-së. Unioni thotë se rekomandimet në këtë fushë janë zbatuar në masë të kufizuar. Theksohet se duhet të miratohet ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, të merren masa të menjëhershme për të luftuar krimin mjedisor si dhe të forcohet zbatimi i politikave dhe zbatimin e ligjit për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit, veçanërisht në zonat e mbrojtura.






