Policia e Shtetit: Bilanci i punës për muajin tetor 2025
Angazhim i pandërprerë 24/7 në terren, operacione, hetime dhe fushata ndërgjegjësuese, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Gjatë muajit tetor 2025, strukturat e Policisë së Shtetit kanë vijuar punën intensive operacionale dhe hetimore, me qëllim parandalimin e veprimtarive kriminale, kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe garantimin e rendit publik në të gjithë vendin.
✅ Siguria publike dhe eventet ndërkombëtare
Në zbatim të planeve të masave, u garantua mbarëvajtja e Konferencës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, si dhe e disa aktiviteteve sportive me pjesëmarrje të gjerë, të zhvilluara në Tiranë gjatë muajit tetor.
Në kuadër të programit kombëtar “Siguria e të rinjve”, punonjës të trajnuar të Policisë kanë zhvilluar çdo ditë takime me nxënës të shkollave në të gjithë vendin, për t’i informuar mbi tema të rëndësishme si dhuna, bullizmi, trafikimi i qenieve njerëzore dhe siguria në internet.
Gjithashtu, në kuadër të fushatës së Tetorit Rozë, Policia zhvilloi aktivitete informuese dhe sensibilizuese në shkolla e komunitete, për ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e kontrolleve të hershme kundër kancerit të gjirit.
📌 Rezultatet operacionale
- 110 operacione policore të finalizuara, 24 prej tyre në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, për kapjen dhe ekstradimin e personave në kërkim ndërkombëtar.
 - 572 persona të arrestuar për vepra të ndryshme penale.
 
Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, Policia e Tiranës goditi një grup kriminal që trafikonte gra nga Amerika Latine dhe Azia Qendrore, për shfrytëzim prostitucioni në Shqipëri. Po ashtu, u zbuluan edhe 5 raste të tjera të shfrytëzimit të femrave në Tiranë dhe Durrës.
Në fushën e narkotikëve:
- U asgjësuan 10 300 bimë narkotike dhe u sekuestruan rreth 201 kg kanabis, 2 kg kokainë, si dhe 8 pako kanabis në formë xhelatine.
 - Operacionet “Quality” dhe “Kombinimi” zbuluan një ngarkesë prej 61 kg kanabis nga Tajlanda dhe një bazë ku kultivoheshin bimë narkotike me llamba, së bashku me arsenal armësh shpërthyese.
 - Operacionet “Improvizimi” dhe “Processing” zbuluan parcela kanabisi dhe ambiente për tharje në Krujë dhe Mirditë.
 
Në fushën e armëmbajtjes pa leje:
- U sekuestruan 57 armë zjarri (mes tyre 5 snajperë), 4 silenciatorë, 16 armë gjahu, 4 kallëpe tritoli, 7 fitila detonatorë, granata, pajisje shpërthyese e pajisje për bllokim valësh.
 - Në Tiranë u parandalua një ngjarje e rëndë kriminale me armë zjarri, duke u zbuluar një bazë me arsenal armësh.
 - Në Elbasan, gjatë operacionit “Fast”, u kapën 14 persona të armatosur me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
 
💶 Krimet ekonomike dhe konfiskimet
Strukturat hetimore zbuluan në Tiranë:
- Një spital privat ku kryheshin krime ekonomike dhe kundër shëndetit publik – u sekuestrua pasuri me vlerë 3 milionë euro (“Operacioni Bilanci”).
 - Një klinikë dentare që ushtronte veprimtarinë me produkte të skaduara dhe pa fatura – u sekuestruan mallra me vlerë 100 000 euro.
 - Një call center mashtrues (“Operacioni SCAMS”) – u sekuestruan 106 710 euro, 700 000 lekë, 51 kompjutera dhe 14 celularë.
 
Në Lezhë u konfiskuan 20 pasuri të paluajtshme me sipërfaqe totale 98 525 m², të përfituara nga veprimtari kriminale.
Gjithashtu, u zbuluan 12 ngjarje kriminale (vrasje, plagosje, djegie mjetesh, kërcënime dhe vendosje lënde plasëse) dhe u goditën 12 raste kontrabande me mallra me vlerë 56 milionë euro dhe 155 000 euro të padeklaruara.
🛂 Kufijtë dhe emigracioni i paligjshëm
U finalizuan:
- 5 operacione për dhënien ndihmë emigrantëve për kalim të paligjshëm, dy prej tyre në portin e Durrësit.
 - Në total, 51 raste kalimi të paligjshëm, 14 me dokumente false, 11 mosdeklarime parash, 10 kontrabandë mallrash, 6 trafikime narkotikësh dhe 4 trafikime mjetesh motorike.
 
Policia Kufitare ofroi gjithashtu ndihmë në terren për 15 turistë e vizitorë të huaj, që kishin mbetur të bllokuar në det ose zona malore.
🚗 Siguria rrugore
Gjatë muajit tetor:
- U arrestuan 204 drejtues mjetesh, nga të cilët 145 për drejtim në gjendje të dehur dhe 59 pa leje drejtimi;
 - U pezulluan 283 leje drejtimi për shkelje të rënda të Kodit Rrugor;
 - U vendosën 14 018 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë.
 
⚠️ Të tjera masa
- U goditën 160 raste ndërtimesh të paligjshme dhe 6 raste gjuetie të paligjshme.
 - Policia ndërhyri në 6 raste për parandalimin e konflikteve me armë apo dhunë familjare.
 
🔹 Angazhim dhe bashkëpunim me qytetarët
Policia e Shtetit siguron qytetarët dhe partnerët e saj se do të vijojë me të njëjtin intensitet punën për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin dhe partnerët ndërkombëtarë.
📞 Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112 ose pranë komisariateve të Policisë në të gjithë vendin.






