Ambasadorja e Austrisë në Shqipëri, Monica Zach deklaroi nga Shkodra se vendi ynë ka ende shumë për të bërë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Ambasadorja Zach u shpreh se Shqipëria ka një sërë sfidash dhe shumë reforma për të planifikuar dhe për t’i zbatuar ato duke lënë të kuptohet se pavarësisht mbështetjes së vendeve si Austria, nuk do të jetë një proces i lehtë.
“Kemi parë shumë progres dhe sigurisht që e mbështesim këtë progres të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Sigurisht e dimë që rruga përpara deri në anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE ka shumë sfida që duhen kaluar. Ka ende shumë reforma për të planifikuar dhe për t’u zbatuar gjithashtu por sigurisht ajo që dua të them është se progresi i Shqipërisë në rrugën drejt BE është i dukshëm. Komisioni Europain e ka përshkruar në mënyrë shumë të qartë, konkrete dhe protokollare hapat që duhen ndërmarrë dhe kjo rrugë është hap pas hapi dhe është një proces që do validohet me reformat dhe legjislacionin që do të bëhet lidhur me këtë rrugëtim”, tha ajo.
Ambasadorja Zach mori pjesë në festën e përvitshme të Austrisë që zhvillohet në Shkodër nga Konsulli i Nderit në këtë qytet Gjergj Leqejza duke thënë se për austriakët është një vit i rëndësishëm. “Është bërë tashmë traditë që në përvjetorin e festës kombëtare të Austrisë të bëhet edhe hapja e javës kulturore austriake në Shqipëri. Këtë vit ka edhe më shumë rëndësi sepse ka disa përvjetorë. Njëri prej tyre është 30 vjetori i anëtarësimit të Austrisë, Suedisë dhe Finlandës në Bashkimin Europian dhe po ashtu është edhe 200 vjetori i Shtraus dhe për këtë arsye është përzgjedhur një kuintet muzikor për të performuar një variant se si muzika moderne jazz takon Shtraus pikërisht në javën kulturore të Austrisë”.
Në Festën e Austrisë në Shkodër morën pjesë drejtues vendor, të klerit dhe një sërë personalitetesh nga fusha të ndryshme.



