Kërkesa e PD-së për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, është rrëzuar me 79 vota kundër. 10 deputetë ishin pro, nuk pati asnjë abstenim, ndërsa vetë Partia Demokratike nuk mori pjesë në votim.
Demokratët pretendonin se Peleshi kishte kryer 5 shkelje të rënda të rregullores, në seancat e 16 dhe 18 shtatorit. Sipas opozitës shkarkimi i Peleshit do ta rikthente Kuvendin në standartet institucionale. Por nisma e Partisë Demokratike, sikundër pritej, është hedhur poshtë me shumicën e votave të socialistëve.
Niko Peleshi u shpreh se opozita ka mbjellë një frymë përçarëse në Kuvend, teksa u hodh në votim shkarkimi i tij edhe pse mori vetëm 10 vota pro. Peleshi hodhi poshtë akuzat e opozitës se favorizon mazhorancën, duke thënë se opozita ka pasur 60% të kohës së fjalës në Kuvend.
“Para pak javësh ndodhi një ngjarje e rëndë, një gjyqtar u qëllua për vdekje në sallë. Nga ai moment dhe në vazhdim u shpërfaq një ngjarje akoma më e rëndë, në rrjetet sociale pati një numër jo të vogël reagimesh që u solidarizuan me autorin e krimit. Mbase tani dikush pyet çlidhje ka kjo me procedurën e shkarkimit të kryetarit të Kuvendit. Do ti përgjigjem shkakut të vërtetë të kësaj procedure, shkaku i vërtetë nuk jam unë, nuk është favorizimi i një krahu politik, kundër një krahu tjetër. Mazhoranca ka folur 291 minuta kundrejt 439 minutave të opozitës, pra 60% të kohës e ka patur opozita. Shkaku që na sjell në këtë procedurë është frymë antagoniste dhe përçarëse nga e cila nuk heqim dot dorë”, tha Peleshi.






