Katër gola ka shënuar Bekim Balaj në gjashtë takimet e luajtura këtë sezon në Superligë. Kapiteni i Vllaznisë foli para sfidës kundër Tiranës, e cila luhet të premten në orën 17:00 në ‘Loro Boriçi’ dhe vlen për raundin e tetë në Superligë. Balaj, ish-sulmuesi i Tiranës në sezonin 2011-12, ka folur me respekt maksimal për bardheblutë, por kërkon t’i mposhtë në fushë nesër.
“Është një ndeshje që pritet me interes, duke parë edhe historinë dhe përballjet mes dy skuadrave ndër vite. Jemi në vend të parë dhe një fitore na duhet për vazhdimësinë. Na duhen tifozët në stadium dhe një fitore.
Keni luajtur me Tiranën…
Po, ne jemi profesionistë. Kam kaluar një periudhë shumë të mirë te Tirana që më ka shërbyer për të lëvizur jashtë Shqipërisë. Kam respekt maksimal. Sot jam kapiteni i Vllaznisë dhe dua të motivoj dhe të shtyj ekipin drejt një fitore të madhe që do na shërbente shumë.
Vllaznia ekipi për t’u mundur?
Është herët për ta thënë, por jemi me meritë në vendin e parë dhe na shërben që të vijojmë më këtë ritëm.
Ndeshja me Tiranën vitet e fundit është shoqëruar me incidente…
Masat do merren, nuk është se mendojmë për atë pjesë. Sa më pak tensione, aq më pak spektakël në tribuna dhe në fushë. Rivaliteti mes dy ekipeve është ndër vite, e mbaj mend që fëmijë festonim me shumë entuziazëm fitoren kundër Tiranës. Në këtë moment na vlejnë pikët.
Është kjo Vllaznia më e mirë që pas rikthimit tuaj në Shkodër?
Realisht kemi një ekip të mirë. Duke parë lojtarët dhe konkurrencën në ekip, jemi mirë. Por këtë do e tregojnë rezultatet. Edhe vjet shkuam në finale, por nuk e morëm trofeun. Sezoni sapo ka nisur, kemi kohë të tregojmë se çfarë do bëjmë”, tha Bekim Balaj mes të tjerash.