Mazhoranca dhe opozita duket se kanë gjetur konsensusin për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhores. Pas premtimit të socialistëve në seancën plenare të 16 tetorit në Kuvend për numër anëtarësh të barabartë në komision, Report Tv zbardhur kompromisin mes PS dhe PD që kënaq “egon” e të dyja palëve.
Me konsensusin e arritur mes PS dhe PD ofrohet barazi reale për shumicën dhe pakicën në komision, por gjithashtu do të përfaqësohen edhe partitë e vogla që nuk kanë formuar dot grupe parlamentare.
Palët kanë gjetur një zgjidhje për PSD-në e Tom Doshit që ishte kthyer në “mollë sherri”. PS kërkonte një vend në anën e opozitës për PSD-në, por PD refuzonte duke thënë se Tom Doshi historikisht ka votuar pro Ramës dhe kjo nuk ishte barazi reale.Kështu, PS ka bërë një hap pas dhe nga 8 vendet që i përkojnë asaj në komision, do mbajë vetëm 7 karrige dhe 1 vend t’ia rezervojë PSD-së së Tom Doshit. Ndërsa një sakrificë do ta bëjë edhe PD, e cila vendet e saj do t’i ndajë: 5 PD, 1 PR, 1 PL dhe 1 Agron Shehaj.
Komisioni me 8+8, dhe me dybashkëkryetarë me të drejtë vetoje, pritet të ngrihet në seancën e 30 tetorit në Kuvend, duke hapur rrugën për nisjen e punës mbi ndryshimet e mundshme në Kodin Zgjedhor.