Ballina Analiza dhe Komente Për Ahengun e Agim Mollës … Nga Edi Zari

Për Ahengun e Agim Mollës … Nga Edi Zari

Nga Eda Zari

Për Ahengun e Agim Mollës.

Jo, s’është për Robert Redfordin (në paqe u prehtë) ky shkrim. Ai jetoi si mbret, vdiq si një i tillë. Dhe ne e donim për atë çka bota e bëri.
Por Agimi… ai ishte tjetër soj!
Kam dëgjuar shumë Getz shumë Evans, Ella, Chet dhe Black Orpheu (kohët e fundit mora ‘Moon Beams’)… dhe po mendoja që janë të gjithë gjetkë, ikur lart!
Sot u ngjit Agimi.
E di? Shkodra të futet në vena.
Ishte ajo ditë, ajo ndjesi, si e dehur nga endorfina që falin shumë sende të vogla por që ta bëjnë çastin madhështor. Rrugicat, pragu i vjetër i shtëpive, portat me harqe, era e drurit të djegur. Mendova se i pashë të gjitha. Kalanë, zilet e biçikletave, njerzit që përshëndeten “t´a ha zemren”. Pastaj nata, kur ecën dhe e ndjek notën e një muzike që të fton, jo se do, por sepse duhet.

Dhe ja, u ulëm. Aty, pranë një pijetoreje, ku zëri i Agimit ta kapte zemrën e ta bënte “sheshbesh”. Ishte zë i fortë, por kishte një vibrim të rrallë. Një zë që dilte nga shtigje trupore i pa pregatitur, shperrthente beftazi, ashtu herë metalik, pak nazal e grykor të dyja bashkë! Ai kishte një dritë të brendshme me ngjyra hideje, terrakota, me një teksturë si tehu i thikës xixë, por kur i vinte anës shpirtit këndonte me merak dhe përgjegjësi dashurore – “mirë se erdhe moj pranver, k´to dy zemra mej bashku”. Ai merrte, jepte me turistët, me ata që i njihte e s´i njihte aq ngeshëm pa ndërprerë frazat. Ishte shkodran i mirë, me atë gotën e vogël në dorë, duke ecur nga një tavolinë te tjetra, si duke e pirë ajrin me njerëzit.
Ata thonë se Agim Molla ishte simboli i ahengut. Po, ai ishte. Por jo vetëm. Ai ishte “Oda” e Shkodrës. Ashtu si e doja Myslym Lelën, për shtrirjen e tij vokale, e doja dhe Agimin. Për atë nënshtrim këndonjës dhe karizmën e vjetër ashike. Për atë mënyrë si e përqafonte jetën dhe jaren. Në mozaikun e tingujve të Shkodrës, zëri i Agimit nuk vdes. Ai thotë “O shpirt sa të du”, sa herë që unë e kujtoj atë natë. Dhe kjo mjafton.
Prehje pranë dritës Agim Molla, ago në qiell!

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks