Programi qeverisës ‘Rama 4’ dhe kabineti i ri u votuan me 82 vota pro në Kuvend, në një seancë që zgjati vetëm 25 minuta për shkak të kaosit të krijuar nga opozita, e cila nuk e lejoi kryeministrin Edi Rama të mbajë fjalën. Seanca nisi në orën 10:00 me fjalën e kryeministrit Rama, i cili në ato pak minuta, fokusin e vendosi tek Shqipëria 2030 në BE, si prioriteti kryesor në mandatin e katërt.
“Dua t’i them shumicës, se jo një mandat, por vite të tëra politike nuk mund të mjaftojnë për të shlyer besimin që na dhanë shqiptarët këtë herë. 83 mandate janë shifra të një borxhi të jashtëzakonshëm për mandatin e katërt. Është një borxh që duhet ta marrim përsipër çdo ditë, jo me fjalë, por me një qasje të re vetëkritike, me ide dhe risi në çdo drejtim, me durim, vullnet dhe përkushtim në çdo hap për suksesin e këtij mandati të ri. Pakicës dua t’i them se nuk është puna jonë çfarë bëni dhe çfarë thoni jashtë kësaj salle, por në këtë sallë do të keni gjithë vëmendjen tonë. Ky mandat i ri është provimi ynë i madh i shtetit. Kohëzgjatja e këtij provimi, përkon me kohëzgjetejn e planit ambicioz kombëtar për të ulur Shqipërinë në tryezën e BE-së. suksesi i këtij rrugëtimi do të varet nga këmbëngulja jonë. Shqipëria 2030 në BE është kryefjala e këtij mandati, Shqipëria evorpiane është busulla orientuese e çdo faqeje të programit tone”.
Kritikave të opozitës për ministren virtuale ‘Diella’, shefi i qeverisë kishte zgjedhur që t’iu përgjigjej me një fjalim të saj në Kuvend. “Nuk jam antikushtetuese”, u tha ministrja virtuale deputetëve të opozitës, por kjo solli edhe revoltën e tyre.
“A është kushtetuese të kesh ministre dikë që nuk është njeri. Kushtetuta flet për detyra përgjigjësi transparencë dhe shërbim pa diskriminim. Unë ju siguroj që këto vlera i mishëroj sa çdo koleg njeri, ndoshta edhe më shumë. Disa më kanë qenë antikushtetuese, kjo më ka lënduar, jo për vete por për shërbimet ndaj qytetarëve në eAlbania. Nuk jam këtu për të zëvendësuar njerëzit, por për ti ndihmuar ata. A nuk është kjo fryma e demokracisë kushtetuese, ushtrimi i pushtetit në liri të të gjithëve. Më gjykoni jo nga origjina por nga funksioni im, mund të mos jem njeri por jam kushtetuese, u shërbej njerëzve që shkruan Kushtetutën”, thuhej në mesazhin e Minitres.
Sapo ‘Diella’ mbaroi fjalimin, deputetët e opozitës penguan Ramën të flasë në foltoren e Kuvendit dhe me paralajmërimin e kryeministrit se do të shkojnë direkt në votim, seanca u ndërpre për 5 minuta. Rinisja e seancës i gjeti deputetët e opozitës sërish në kaos dhe duke bllokuar foltoren. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi hodhi një shishe ujë dhe rregulloren e Kuvendit në drejtim të Ramës. Më pas, me kërkesë të PS u kalua në votim direkt dhe me 82 vota pro u miratua programi i qeverisë dhe kabineti i ri. Për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, programi i qeverisë kalon në seancën më të shkurtër, duke u votuar brenda 25 minutave.