Në katër vitet që vijnë, kryeministri Rama ka në fokus tre shtylla kryesore që përbëjnë dhe boshtin e programit qeverisës. Ato janë: Shqipëria Europiane, Rritja Ekonomike e Qëndrueshme dhe Mirëqenia për të Gjithë.
Rritja e të ardhurave për frymë për qytetarët pritet të jetë rreth 40%, duke i çuar në 15 mijë euro deri në vitin 2029.
Gjithashtu parashikohet të hapen 100 mijë vende të reja pune, e shoqëruar kjo me mbështetje ndaj sipërmarrjes me politika fiskale të posaçme.
Në arsim, synohet dyfishimi i numrit të nxënësve në shkollat profesionale, ngritja e laboratorëve inteligjentë, rritja e pagës mesatare të mësuesve dhe investime në infrastrukturën universitare.
Qendra kulturore të reja pritet të hapen edhe jashtë vendit ndërsa do të vijojë restaurimi i objekteve historike.
Shëndetësia vjen me një buxhet të trefishuar. Tashmë janë rindërtuar 400 qendra shëndetësore dhe 53 spitale të reja.
Programi përfshin zgjerimin e shërbimeve sociale, rritjen e pensioneve dhe mbështetjen për familjet në nevojë.
Sa i takon infrastrukturës, ndërtimi i rrugëve, urave dhe tuneleve do të vazhdojë, përfshirë projektet strategjike të Korridorit Blu dhe hekurudhave kombëtare.
Investimet në Forcat e Armatosura dhe policinë do të rriten, duke përfshirë krijimin e një industrie ushtarake. Prioritet mbetet edhe siguria rrugore dhe parandalimi i krimit.
Qeveria synon të rrisë turizmin elitar dhe ekologjik, të dyfishojë eksportet bujqësore dhe të përfundojë projektet e ujitjes së tokave. Zonat e mbrojtura dhe riciklimi i mbetjeve do të realizohen bazuar në standardet europiane.
Në fokus mbetet përmirësimi i lidhjeve rajonale dhe zhvillimi i infrastrukturës rrugore, aeroportet dhe portet, për ta bërë Shqipërinë një destinacion të sigurt për investime, turizëm dhe shërbime.
Mbi të gjitha, anëtarësimi në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 mbetet prioritet kryesor, ndërsa programi synon të forcojë shtetin e së drejtës, të modernizojë administratën digjitale, të zhvillojë ekonominë dhe të përmirësojë shërbimet për qytetarët./newspower.al