Pa konsensus dhe mes debateve, Kuvendi miratoi vetëm me votat e mazhorancës ndryshimet në Rregullore, përmes së cilave bëhet edhe një riorganizim i komisioneve të përhershme parlamentare, ku 7 prej tyre i drejton PS dhe 4 PD. Pas debateve, opozita braktisi sallën në momentin e votimit dhe ndryshimet kaluan vetëm me 79 votat pro të deputetëve të Partisë Socialiste.
Në bllok, opozita kundërshtoi ndryshimet duke thënë se po bëhen në shkelje të Kushtetutës.
Nga ana tjetër, PS përmes Taulant Ballës tha se opozitës i kanë besuar komisione jetike.
Në seancë u betuan edhe 4 depuetët që kishin munguar, Albana Vokshi, Fatmir Mediu, Oerd Bylykbashi dhe Jozefina Topalli që rikthehet në kuvend pas 8 vitesh. Po ashtu, u miratuan disa prej organeve të Kuvendit, që janë të domosdoshme për organizimin e Kuvendit, si Këshilli i Rregullores dhe Mandateve, Këshilli i Legjislacionit apo Byroja e Kuvendit.