Mbrojtësi i Vllaznisë, Melos Bajrami doli para mediave në prag të sfidës së nesërme me Partizanin. Ai u shpreh se kanë mësuar nga gabimet me Dinamon dhe se nesër janë gati për fitoren.
“Është një sfidë që e kemi përgatitur gjatë gjithë javës, jemi gati për ndeshjen e nesërme, besoj që gjithçka do të shkojë mirë dhe po e presim me padurim. Ka qenë një humbje që na ka dhembur, por nga çdo humbje e merr një mësim dhe kemi mësuar që ato gabime mos ti bëjmë më. Kemi pasur kohë gjatë kësaj kohe dhe tani jemi të bindur që do të bëjmë më mirë në situata të caktuara. Strategjinë do e lemë te ndeshja, jemi fokusuar dhe kemi analizuar të gjitha pikat e tyre, besoj jemi të gatshëm dhe gjithçka do të shkojë mirë. Jam përshtatur mirë, prurjet e reja e kanë treguar veten, që janë pjesë e rëndësishme e ekipit.
Ky është viti im i dytë në Shkodër, gjithçka ka shkuar mirë për mua, kemi një ekip më të plotë se vitin e kaluar tani të shohim. Lojtarët e stolit nuk kanë ndonjë diferencë të madhe me ata që e nisin titullar. Pretendete besoj janë edhe ato skuadrat që kanë qenë vitin e kaluar, ne do të marrim ndeshje pas ndeshje, dhe të rëndësishme janë 3 pikët e ndeshjes së ardhshme. Egnatia dhe Partizani janë rivalët më të fortë të Vllaznisë. Nuk e kam problem pjesën e formacionit, do mundohem ta bëj punën siç ma kërkon trajneri. Si ekip i vlerësojmë të gjitha njësoj, do jemi të fokusuar 100% dhe të marrim fitoren. Shpresoj të kem paraqitje sa më të mira këtë sezon dhe të ndihmoj ekipin”, deklaroi ai.
Vllaznia Partizani luhet në Loro Borici duke nisur prej orës 19.00 të së shtunës.
Vllaznia dhe Partizani premton gjithmonë rivalitet. Kjo pasi mbajnë dy nga fanellat, që peshojnë më tepër dhe kanë shkruar historinë e futbollit shqiptar. Nëse nga sezoni 2020/ 21 diçka ka ndryshuar në favor të Vllaznisë për përballjet direkte, historia flet në favorin e “demave”. Mes dy klubeve të Superiores janë luajtur 181 ndeshje në total ku 77 fitore i përkasin Partizanit. Vllaznia ndërkohë ka korrur fitore në 54 raste. Plot 50 sfida janë mbyllur me barazim. Golavarazhi është e pritshme të të jetë në favorin e kryeqytetasve. 234 gola të shënuar, kundrejt 171 të Vllaznisë. Të kuqtë nuk e fitojnë këtë takim nga dhjetori i kaluar, kur ia dolën në “Arena e Demave” me rezultatin e pastër 2-0. Po me të njëjtat shifra, Vllaznia fitoi sfidën e fundit mes dy skuadrave që u luajt në “Loro Boriçi”. Barazimi i fundit po ashtu ka sjellë gola, pikërisht katër.