Në orën 11:00 të ditës së sotme, do të mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, ku pritet që kreu i qeverisë, Edi Rama të shpallë qeverinë e re.
Asambleja do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve dhe i pari që do të flasë është kryesocialisti Edi Rama, i cili pritet të listojë prioritetet e mandatit të 4 dhe ekipin me të cilin do të drejtojë vendin deri në vitin 2029.
Kreu i qeverisë ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku shkruan, “Mirëmëngjes. Shihemi në 11.00”, çka le të kuptohet se kjo do të jetë ora kur do të prezantojë qeverinë e re, ekipin me të cilin do të drejtojë vendin deri në vitin 2029.
Pas mbledhjes së Asamblesë, mësohet se Rama do të zhvillojë edhe mbledhjen e parë me deputetët që dolën nga vota e qytetarëve më 11 maj.
Pas prezantimit të qeverisë, do të mblidhet Parlamenti.
Mbledhja e parë e Parlamentit të ri do të zhvillohet më 12 shtator në orën 10:00.
Mbledhja ka karakter ceremonial, drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë dhe i vetmi vendim që merr është ngritja e komisionit që verifikon mandatet e deputetëve.
Parlamenti rimblidhet sërish pasditen e së premtes dhe deputetët bëjnë betimin.
Në këtë seancë do të zgjidhet me votim të fshehtë kryetari i ri i Kuvendit, që vjen si propozim i Partisë Socialiste që fitoi zgjedhjet.
Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, emëron Kryeministrin me propozim të partisë që ka shumicën e vendeve në Kuvend.
Më pas, Kryeministri Edi Rama shkon në Parlament dhe paraqet, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij.
Miratimi i qeverisë është një nga mbledhjet më të rëndësishme të Parlamentit dhe, tradicionalisht, debati ka zgjatur dy ditë, pasi pothuaj të gjithë deputetët diskutojnë për programin e qeverisë.
Pas votimit në Parlament, Kryeministri Edi Rama dhe ministrat bëjnë betimin para Presidentit të Republikës dhe, pas kësaj, qeveria “Rama 4” nis zyrtarisht punën.