Vllaznia  dhe Egnatia përballen të premte në orën 20:00 në “Loro Boriçi”. Kjo sfidë është ajo hapëse për sezonin e ri në Superligë, ndërsa kalendari e deshi që skuadrat finaliste të ‘Final 4’ në edicionin e kaluar të jenë përballë në nisje.

Nga stadiumi ku do zhvillohet ndeshja, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini tha se ka besim te lojtarët e tij, por nuk e përmendi fjalën titull, të munduar prej 24 vitesh në Shkodër. Trajneri vlerësoi merkaton e ekipit të tij, duke thënë se vlerëson Vllazninë më shumë se këdo ekip.

“Ne jemi gati për të filluar kampionatin dhe normal kemi entuziasëm dhe besim. Natyrisht që kemi mundësi edhe për pak kohë për të rifituar lojtarët e dëmtuar, ata djem që do fillojnë lojën janë gati, kemi besim që do fitojmë. Do japim 100% tonë, e njohim Egnatian, por jam i bindur se djemtë janë të karikuar dhe besoj që do t’ia dalim. Kjo është Vllaznia që unë kam kërkuar, do kisha dëshirë që disa lojtarë t’i kisha për në Europë, por iku tani.

Synimet – Pritshmëritë janë të mëdha dhe jam i bindur që do të bëjmë një kampionat shumë të mirë. Jam i kënaqur me të gjithë që kanë ardhur, por nuk mund të jap emra. Gjithsecili prej tyre me aftësitë e veta do të bëjë të mirën. Normale do të ketë diskutime gjithmonë, kemi marrë një portier që ka spikatur te Shamrock Rovers dhe do jetë më i mirë në të ardhmen pasi aktualisht nuk ndodhet në 100% e tij. Është shpejt të diskutojmë për titullin kampion, të gjithë trajnerët do flasin njësoj. Është rrugë e gjatë, me peripeci, dëmtime, fat, por unë jam i bindur që jemi ndër favoritët.

Ende në merkato? Pothuajse e kemi të kryer merkaton dhe jam i kënaqur, normalisht mund të ketë ndonjë lëvizje ditët e fundit, por e falenderoj presidentin Xhaferi që nuk është kursyer.

Rivalët – I uroj Dinamos të shkojë në grupet e Conference League, por ekip për t’u mundur unë quaj veten dhe vlerësoj djemtë e mi më shumë se çdokënd tjetër. Ndeshjet që kanë kaluar kanë kaluar. Unë them që lojtarët e mi nuk i kam nënvlerësuar, nëse lojtarët e mi marrim çdo gjë që unë kam në kokë do jetë fantastike.

Kampionati është i gjatë dhe ndeshjet janë shumë të vështira, çdo ekip mobilizohet shumë mirë, duke pasur parasysh ecurinë e vjetshme, pikët janë jetike. Nesër dhe me Dinamon nuk do të ketë rëndësi loja, por pikët. Unë preferoj të rri në heshtje, nuk kam gjë me gazetarët apo tifozët, dua të rri mbas lojtarëve të mi, të jem më në hije”, tha Martini.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu