Në një mënyrë apo në një tjetër, seanca e parë konstituuese e Kuvendit të ri është në dorë të Sali Berishës. I takon atij si deputeti më i vjetër në moshë të drejtojë seancën e parë të Parlamentit deri kur Kuvendi të zgjedhë kryetarin e ri.  Para 4 vitesh Berisha e refuzoi këtë privilegj e ishte koha kur ai rrinte në prapavijë dhe protagonizmin ia kishte dorëzuar Lulzim Bashës. Nëse Berisha refuzon sërish këtë rol të përkohshëm, e drejta i kalon Tritan Shehut, dhe më pas 68-vjeçarit socialit Vasil Llajo.

Ndërkohë Kuvendi është duke pritur një dekret nga presidenti Bajram Begaj për të thirrur mbledhjen e parë të kësaj legjislature të  XI.  Sipas Kushtetutës, Kreu i shtetit e thërret Kuvendin jo më vonë se 10 ditë nga përfundimi i mandatit të legjislaturës aktuale. Në këto kushte, palët po punojnë për betimin e deputetëve dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit në një seancë që më shumë gjasë do të jetë më 10 shtator.

72 deputetë hyjnë për herë të parë në Kuvend, mes të cilëve, më e rifreskuar është PS, me 53 emra të rinj dhe PD me 14 prurje të freskëta.

Ekstremet e moshës së ligjvënësve janë mes 81 viteve të Sali Berishës dhe 24 viteve të Marjana Koçekut, Neomalësorja që u zgjodh deputete e PS-së.

Socialistët presin me ankth rikthimin e Edi Ramës nga pushimet, i cili e ka bërë traditë që ta shpallë qeverinë e re, bashkë me kryetarin e Kuvendit, në një Asamble të partisë, që zakonisht e ka thirrur në ditët e fundit të gushtit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu