Kryebashkiaku i Shkodrës, Beci, ka njoftuar një sërë masash për rregullimin e aktivitetit të agjencive funerale në qytet, pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarët për praninë e këtyre aktiviteteve pranë shkollave, banesave dhe rrugëve kryesore. Në kuadër të rregullave të reja, të cilat hyjnë në fuqi më 25 shtator 2025, janë përcaktuar kushte të qarta për vendndodhjen dhe operimin e këtyre subjekteve, për të siguruar një mjedis më të sigurt dhe të rehatshëm për komunitetin. Subjektet që nuk do të përmbushin kriteret e reja do të ndalohen të ushtrojnë aktivitetin.
Të nderuar qytetarë,
Prania e Agjencive Funerale dhe aktiviteteve të tyre, shpesh të vendosura pranë shkollave, banesave apo përgjatë rrugëve kryesore të qytetit, ka qenë prej kohësh një shqetësim i vazhdueshëm për komunitetin e Shkodrës. Në përgjigje të këtij shqetësimi, Bashkia Shkodër ka ndërmarrë masa konkrete për ta zgjidhur këtë problem, duke vendosur rregulla të reja për funksionimin e tyre.
Ju bëjmë me dije se 25 shtatori është afati i fundit për zbatimin e këtyre rregullave, të përcaktuara me VKB nr. 15, datë 03.03.2025. Pas kësaj date, subjektet që nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara do të ndalohen të ushtrojnë aktivitetin në mjediset përkatëse.
Sipas rregullores:
- Nuk lejohet ushtrimi i aktivitetit në Qendrën Historike të Qytetit, që përfshin rrugët: Gjuhadol, Kolë Idromeno, 13 Dhjetori, 28 Nëntori dhe përgjatë rrugës Hamz Kazazi.
- Nuk lejohet ushtrimi i aktivitetit në godina banimi shumëfamiljare apo në shtesat e tyre.
- Objektet duhet të jenë të paktën 50 metra larg nga institucionet arsimore.
- Nuk lejohet ushtrimi i aktivitetit në ambiente të përbashkëta të përdorura nga subjekte të tjera.
- Automjetet e shërbimit funeral nuk mund të qëndrojnë apo të parkohen në hapësira publike.
Falënderojmë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin që kanë treguar një pjesë e këtyre subjekteve, të cilat tashmë kanë nisur përshtatjen me rregulloren e re.