Edhe këtë sezon veror, turizmi në Malësinë e Madhe po njeh rritje të qëndrueshme. Kjo trevë, e pasur me burime natyrore dhe atraksione të shumta për turizmin e aventurës, kulturës dhe traditës, po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turistët e huaj.

Vermoshi, Lëpusha dhe Razma mbeten ndër zonat malore më të frekuentuara, ndërsa turizmi liqenor, po tërheq vizitorë të shumtë që udhëtojnë me kampera.

“Atraksionet janë të shumta në malësinë e Madhe pro më kryesore janë Reçi, Razma, Boga, Tamara, Lëpusha, Vermoshi. Vitet e fundit jemi fokusuar edhe të bregu liqenor që po tërheq gjithnjë e më shumë turistë”, u shpreh Eristjan Smajlaj, përgjegjësi i sektorit të turizmit, Malësi e Madhe.

Aktivitetet kulturore e të traditës lokale janë një pasuri e çmuar që gjallërojnë verën në Malësinë e Madhe, duke rikthyer në vendlindje shumë banorë të diasporës.

“Para disa ditësh zhvilluar edhe “Logu i Bjeshkëve”, që është një event që ka një rol shumë të madh në të gjithë trevat shqipfolëse edhe në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe diaspora merr pjesë masivisht në këto evente”, tha ai.

Megjithatë, sfidë e përvitshme për operatorët turistikë mbetet sigurimi i fuqisë punëtore. Shumë biznese e kanë zgjidhur këtë përmes angazhimit familjar, por gjithnjë e më shpesh edhe me punësimin e të huajve

“Strukturat kanë një tipologji të veçantë pasi janë kryesisht biznese familjare ku të gjithë janë të angazhuar” tha Smajlaj.

Shtrirja unike e Malësisë së Madhe, nga Alpet shqiptare deri në brigjet e liqenit të Shkodrës  e kthen këtë zonë në një ansambël të rrallë turistik, i cili për nga larmishmëria e ofertës, mbetet ndër më të veçantët në Shqipëri dhe rajon./RTSH

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu