Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synon të hapë sërish garën koncesionare për aksin rrugor Milot – Balldre. Në datën 8 gusht ky dikaster ka publikuar parashikimin pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, çka tregon qëllim për zhvillimin e tenderit.

Procedura e fundit e hapur në dhjetor të vitit të kaluar u anulua vetëm pak javë më parë, pasi sipas ministrisë asnjë prej ofertave të paraqitura nuk ishte e përshtatshme.

Ndërkaq, sipas dokumenteve të tenderit, që shoqëruan garën e fundit koncesionare, vlera totale e parashikuar e projektit është rreth 365 mln euro, pa TVSH, ndërsa kohëzgjatja e kontratës do të jetë 35 vjet. Në këtë vlerë përfshihen kostot për projektimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës që do të jetë autostradë e kategorisë A, nga rrugë e kategorisë C që është aktualisht.

Aksi Milot-Balldre është i gjatë rreth 17 km, ndërsa do të ketë një karrexhatë dyfishe me nga dy korsi dhe korsi të emergjencës, bankinë, tunel me dy tuba, si dhe vepra arti të mëdha mbi lumin Mat dhe lumin Drin. Po ashtu koncesionari do të duhet të ndërtojë rrugët paralele të kategorisë F2.

Rruga fillon në nyjen e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjerë rrugorë Milot-Thumanë – Kashar – Lekaj – Rruga e Kombit dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre.

Ky aks është pjesë e korridorit Adriatiko – Jonian, i cili është i identifikuar paraprakisht si pjesë e Korridorit TEN-T Mesdhetar, duke shtrirë Korridorin Kryesor të Rrjetit të BE – së në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu