Inspektorati Shtetëror Shëndetësor vijon inspektimin e pishinave dhe kushteve higjieno-sanitare në të gjitha subjektet e vendit, në kuadër të masave të marra për sezonin turistik.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi sot se “nga muaji qershor deri tani janë inspektuar rreth 200 pishina në të gjithë vendin dhe procesi do të vazhdojë deri në fund të sezonit”.
“Gjatë kontrolleve, për pishinat që kanë rezultuar me mangësi janë lënë detyra me afate të përcaktuara për përmirësim dhe janë marrë masa administrative për subjektet përkatëse”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se “ISHSH kryen me përpikmëri inspektimin dhe riinspektimin, duke trajtuar me seriozitet çdo sinjalizim apo ankesë nga institucionet shëndetësore ose qytetarët, për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e pushuesve”.