Kur Kryeministri Edi Rama dha urdhrin për dorëheqjen e të gjithë administratorëve të njësive vendore, shumëkush e pa si një mundësi për të nisur një valë të re reformimi në administratën lokale. Një përpjekje për të çliruar bashkitë nga njerëzit e ngulitur prej vitesh në poste të caktuara dhe për t’i dhënë frymë të re qeverisjes vendore. Por në praktikë, ajo që po ndodh në disa bashki është një farsë e mirëfilltë, një lojë formale, për të lënë gjithçka po aty ku ishte, me emra të njëjtë dhe politika të njëjta, vetëm me zyrë tjetër. Shembulli më i qartë vjen nga Malësia e Madhe. Kryebashkiaku Tonin Marinaj, me një lëvizje që e paraqet si zbatim të urdhrit nga lart, ka pranuar dorëheqjen e Lavdrim Tatës nga posti i Administratorit të Njësisë Kelmend, ku kishte qëndruar për 7 vite. Por, në vend që të hapte rrugë për fytyra të reja, Marinaj e emëron sërish Tatën, kësaj here si Nënkryetar të Bashkisë. Kjo lëvizje nuk është reformë, por riciklim politik. Është fasadë, jo ndryshim. Në vend që të përfaqësojë një reflektim mbi performancën apo nevojën për të afruar figura të reja me ide dhe energji të freskët, ky rotacion i brendshëm i zyrtarëve është një mënyrë për të ruajtur status quo-në.

Mund të hiqet dorë nga një karrige, por jo nga pushteti. Dhe kjo është ajo që dëshmon vendimi i fundit në Malësinë e Madhe, një proces që i shërben më shumë PR-it sesa interesit publik. Në thelb, ajo që ndodh është ruajtja e të njëjtave rrjete ndikimi, ku vendimet nuk merren për qytetarët, por për të ruajtur ekuilibrat e brendshëm të pushtetit lokal. Kur ndryshimet bëhen thjesht për t’u dukur, dhe jo për të sjellë realisht përmirësim, reforma kthehet në iluzion. Dhe qytetarët, ata që presin shërbime më të mira, transparencë dhe përfaqësim të ndershëm, mbeten sërish jashtë loje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu