I shkarkuar pak dite më parë si aktor në Teatrin “Migjeni” në Shkodër për “mungesë cilësie”, Simon Shkreli është ftuar të jetë pjesë e jurisë vlerësuese në Festivalin e 55-të të Teatrit në Ferizaj të Kosovës.
Ftesa është bërë nga drejtuesit e festivalit dhe Teatrit “Adriana” në Ferizaj, ndërkohë që vetë Shkreli e ka ndarë lajmin në rrjetet sociale, duke falënderuar organizatorët dhe duke theksuar se “arti nuk matet me kile, metër apo tabela në Excel”.
“Falënderoj organizatorët e Festivalit të 55-të të Teatrit në Ferizaj për ftesën për të qenë anëtar i jurisë së festivalit. Kjo ftesë është shumë e veçantë për mua në këto momente”, shkruan ai.
Caktimi i Shkrelit në një rol vlerësues në një festival prestigjioz në Kosovë vjen në kontrast të fortë me vendimin e institucioneve kulturore në Shkodër, ku largimi i tij u shoqërua me debate dhe reagime nga komuniteti artistik.
Festivali i Ferizajt është një nga ngjarjet më të rëndësishme të teatrit në hapësirën shqiptare.