𝐂̧𝐔𝐃𝐈𝐀/ 𝐀𝐣𝐫𝐢 𝐢 𝐤𝐨𝐧𝐝𝐢𝐜𝐢𝐨𝐧𝐮𝐚𝐫 𝐧𝐞̈ 𝐩𝐚𝐥𝐥𝐚𝐭𝐢𝐧 𝐞 𝐬𝐩𝐨𝐫𝐭𝐢𝐭 “𝐐𝐚𝐳𝐢𝐦 𝐃𝐞𝐫𝐯𝐢𝐬𝐡𝐢” 𝐭𝐞̈ 𝐒𝐡𝐤𝐨𝐝𝐫𝐞̈𝐬 𝐳𝐠𝐣𝐚𝐭 𝐯𝐞𝐭𝐞̈𝐦 𝟐𝟖-𝐝𝐢𝐭𝐞̈

𝙉𝙜𝙖 𝙈𝙖𝙧𝙞𝙣𝙜𝙡𝙚𝙣 𝙕𝙃𝙄𝙑𝘼𝙉𝙄

Pallati i Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër është rikthyer sërish në kushtet ekstreme që prej vitesh janë bërë pjesë e përditshmërisë për sportistët, të cilët bëjnë stërvitje në temperatura përvëluese mbi 40-gradë në verë dhe të ftohtë të acartë në dimër.

Pas pak javësh shprese, situata është rikthyer sërish në pikën zero. Sistemi i ajrit të kondicionuar, i instaluar në fillim të korrikut me rastin e Kampionatit Europian të Basketbollit për 16-vjeçarët, është hequr plotësisht. Prej disa ditësh, të gjitha pajisjet janë çmontuar dhe në ambientet e pallatit janë rikthyer temperaturat përvëluese.

“Shkodra Sport” ka marrë disa informacione nga Bashkia e Shkodrës dhe është bërë me dije se sistemi i kondicionimit ishte i përkohshëm, me qëllimin për të përmbushur standardet minimale gjatë zhvillimit të ndeshjeve të kampionatit europian të basketbollit, duke qenë se gjatë muajit korrik, nuk ka pothuajse asnjë aktivitet sportiv. Megjithatë, edhe gjatë këtyre ndeshjeve, ndikimi i tij në përmirësimin e temperaturës ka qenë pothuajse i papërfillshëm, për shkak të amortizimit të thellë të godinës sportive.

Nga sa bëhet me dije, Bashkia po shqyrton mundësinë për një zgjidhje më serioze. Në vend të ndërhyrjeve të pjesshme dhe afatshkurtra, synohet një rikualifikim total i Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi”, duke e shndërruar atë në një impiant modern dhe funksional. Kjo gjë pritet të ndodhë në të ardhmen.

Ky është një premtim që është artikuluar edhe më herët nga vetë Kryeministri Edi Rama, por aktualisht mbetet ende pa u konkretizuar. Deri atëherë, sportistët e Vllaznisë, të gjitha ekipet e lojërave me dorë dhe të futsallës, do të vazhdojnë të përballen me një realitet që i sfidon përtej fushës së lojës, që është mungesa e kushteve minimale për të stërvitur dhe konkurruar si profesionistë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu