Arben Rakipi, drejtues i Grupit të Punës për hartimin e Kodit të ri Penal, bëri publike disa nga risitë kryesore që përmban drafti i ri i këtij kodi. Gjatë një konference për mediat, Rakipi theksoi se një nga aspektet më të rëndësishme të këtij drafti është sqarimi dhe përcaktimi i qartë i koncepteve ligjore, me qëllim shmangien e keqinterpretimeve nga ana e gjykatave. Kjo, sipas tij, është një element thelbësor i pavarësisë së sistemit gjyqësor.
Një tjetër element i rëndësishëm është dënimi në tërësi. Rakipi vuri në dukje se dispozitat aktuale janë të pamjaftueshme, por ndryshimet e reja, janë një garanci për të arritur në një vendim të drejtë. Në draft janë shtuar elementë të rinj që i japin peshë të veçantë kritereve mbi të cilat mbështetet vendimi i gjykatës.
Një tjetër element është lloji i dënimit dhe shtimi i një game më të gjerë sesa sot i dënimeve plotësuese. Ai tha se i kanë dhënë peshë aplikimit të dënimeve plotësuese, apo disa dënimeve që në raste të caktuara që vlerësohen si i mjaftueshëm për të arritur në një riedukim apo parandalim.
“Ne kemi bërë praktike rrugën nëpër të cilën kalon dhe duhet të kalojë gjykata në e kemi shndërruar në detyrim ligjor. shtë ngarkesë më tepër e prokurorëve dhe gjykatës por është garanci për të arritur në një dënim, të drejtë. I kemi dhënë peshë specifike të gjitha elementëve që lidhen me kriteret mbi të cilat bazohet vendimi, peshë e cila në rezultante të përgjithshme, supozohet të çojë në vendim të drejtë. “, shtoi ai.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet të miturve. Parashikohet mbrojtje e posaçme për ta, dënime më të rënda për veprat penale ndaj tyre dhe një saktësim i qartë i përgjegjësive të personave që duhet të kujdesen për fëmijët. Janë rikonceptuar edhe masat edukative për të miturit duke u bazuar në zhvillimin e plotë të tyre fizik, mendor, moral dhe social. Masa më e rëndë edukuese do të jetë alternativë e fundit, ndërsa një rol të rëndësishëm do të ketë Njësia për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës dhe strukturat vendore përkatëse.
Gjykata do të ketë mundësi të vendosë detyrime të veçanta ndaj të miturit, si kërkimi i faljes, dëmshpërblimi, ndjekja e rregullt e shkollës, ndalimi i frekuentimit të disa vendeve apo kontakteve me persona të caktuar.
Një tjetër propozim është lirimi me kusht i personave të dënuar me burgim të përjetshëm. Rakipi e cilësoi këtë si një hap të guximshëm, duke theksuar se “ecën me besimin se njerëzit ndryshojnë dhe përmirësohen”.
“Lirim para kohe për kusht. Ne kemi pasur disa pengesa që lidhet me aplikimin e lirimit me kusht për burgimin e përjetshëm. Përfundimisht diskutimi i gjatë është se mund ta aplikojmë lirimin me kusht për dënimin e përjetshëm. Është propozim shumë i guximshëm, debati ka qenë i fortë sepse këtu mpleksen shumë gjëra një pjesë e të cilave i përmenda, paqja sociale, viktima, rendi publik, shkalla e kriminalitetit etj, por nisur nga besimi që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë dhe përmirësohen nëse puna me ta është e efektshme.”, shtoi ai.
Drafti parashikon edhe ndryshime në trajtimin e shkeljeve nga punonjësit e administratës tatimore. Në rastin e një shkeljeje të parë, ajo do të trajtohet në mënyrë administrative nga vetë administrata tatimore, përveç rasteve kur bëhet fjalë për evazion të konsiderueshëm. Në rast përsëritjeje, atëherë çështja kalon për ndjekje penale. Ky ndryshim, sipas Rakipit, do të ulë ngarkesën për sistemin e drejtësisë, por do të rrisë përgjegjësinë e administratës tatimore për vlerësimin fillestar.
“Autoriteti tatimor do të vlerësojë administivisht shkeljet e para dhe nëse shkeljet e dyta do të pikasen atëherë merr juridiksion sistemi i drejtësisë penale. Nëse shkelja e parë, që në rrugë të zakonshme vlerësohet nga pikëpamja administrative, është me nivel të lartë shmangie evazioni, sjell kompetencën e prokurorit të ushtrojë ndjekjen penale pavarësisht zgjidhjes së rregullit që përshkrova. Nga pikëpamja praktike, do të ulë numrin e çësahtjeve por do të shtojë edhe përgjegjësinë e organeve përkatëse.”, u shpreh ai.
Parashikohen ndryshime edhe për ndëshkimet për krimet kibernetike, sigurinë ushqimore, veprat penale në fushën e prokurimit publik dhe konfliktit të interesit, shkaktimi i vetëvrasjes nëpërmjet bullizimit, etj.