Më 21 korrik të vitit 1925 në Temal të Dukagjinit, lindi Martin Camaj. Njësoj si Fishta dhe Harapi, Martin Camaj është një prej shkrimtarëve të censuruar gjatë regjimit totalitar. Ndonëse u edukua në Kolegjin Saverian, Camaj ndoqi një rrugëtim të pavaruar nga feja. Pas përfundimit të shkollimit në Kolegjin Saverian, punoi si mësues në fshatrat veriorë.
Mospajtimi i bindjeve të tij politike me ideologjinë e regjimit totalitar të instaluar në Shqipëri, do ta shtrëngonin autorin postmodernist të letrave shqipe të shtegtonte larg atdheut. Fillimisht u përfshi në radhët e qëndrestarëve kundër partizanëve komunistë dhe për këtë arsye, qe i detyruar të jetonte në ilegalitet derisa mori arratinë drejt Jugosllavisë fqinje. Në vitet 1949-1955 studioi për sllavistikë, romanistikë dhe albanologji në Beograd. Mandej, me ndihmën e ish-mësuesve italianë, u shpërngul në Romë, ku do të përmbyllte në vitin 1960 disertacionin mbi “Gjuhën e Gjon Buzukut”.
Duke nisur nga viti 1961, punoi si pedagog i fushës së albanologjisë në universitetin e Mynihut. Ndërsa, atashuar pranë këtij institucioni, shërbeu përgjatë vjetëve 1971-1990 në krye të katedrës së disiplinës së albanologjisë. Camaj ka lëvruar në poezi, në prozë dhe në punime shkencore mbi shqipen dhe dialektologjinë shqiptare.
Vepra e tij letrare përfshin nëntë vëllime poetike, tri romane dhe një vëllim me novela. “Nji fyell ndër male” (Prishtinë 1953), “Kanga e vërrinit” (Prishtinë 1954), “Djella” (Romë 1958), “Legjenda” (Romë 1964), “Lirika mes dy moteve” (Munih 1967) dhe “Drandja” (Munih 1981), janë disa nga titujt e krijimeve të tij. Ndërroi jetë më 12 mars të vitit 1992, në Mynih.
MARTIN CAMAJ
DREKË MALSORE (cikël me poezi)
DREKË MALSORE
Sot ashtë marrë një gjak.
Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
Sot ashtë marrë një gjak.
Nën tunin e spatës
Pëlset rrashta e kaut te prroni.
(Drekë të mëdha po bahen sot!)
Sot ashtë marrë një gjak.
Gjama e burrave tërbueshëm
Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.
E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë
Ndë tryeza, jashtë
Natë. Në vorrezat mbi kodër
Tokë e re, hanë e re.
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue.
GJAKMARRJA
Vetmia ka thithë erën e bjeshkës
dhe fije bari as fletë nuk lòt.
Të mnershëm janë korbat e zèz
në pushim mbi qarrat e vjetër
maje mali në vapë.
Mendja e njeriut nën hije shestòn
udhë gjaku
e sosjen e pagjës në mal e vrrî.
MES SHËNGJERGJAVE
Nepër palcin e eshtnave ndij
frymën e vdekjes.
Për rreth digjet ajri
e shikimi tret në udhën e pa skâj.
Më dhimben vetëm sýt:
do të shohin dhambët e amshimit
tue u mbyllë përpara.
NJI POETI TË SOTËM
Rruga jote â e mirë:
Parkat janë fytyrat ma të shëmtueme
të miteve klasike. Ti nuk shkrove për to,
por për rrasa guri e ballë njerzorë
me rrudha shum e për dashuninë.
Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje
e jo para mikrofonit
si të çetës së poetëve tjerë,
zemra
ndonëse nën shtatë lëkura
akull,
akull
ndonëse nën shtatë lëkura.
MOTIV I VJETËR NË KTHIM
Shtatë vasha u çuen peshë
kur ngjyra e korbit fluturoi
përmbi shtyllën e jetës:
sqepi i dukej i verdhë, gati i bardhë
mes pendlave të zeza.
Shtatë vasha u çuen peshë
e u turrën vrap me funda
në duer sa qethi mbas korbave
e vetëm me za i tretën si plafa të murmë
nën karmat e vendit tim.
Po s’erdhët ju, vasha,
kur të zbardhen pusat e ujit
në lumë përpara agimit,
ngurzohen ehde duert e foshnjeve
në palaré.
DRENI PLAK
Barijtë tradhtisht e lanë shkret bjeshkën
për ngrohësinë e vërrijeve.
Dirgjen shtigjeve tue folë me za të naltë
punë grash e qeshin
me ujin e prronit zhgrehshëm tue u derdhë,
prej pusi në pus.
Dreni plak çoi kryet prej dheut të djegun,
e vrejti gjethin e zverdhun. Mandej
shkoi e u kap me të bijtë për punë
drenushash.
I thyem e la edhe ai bjeshkën e ndoqi
gazin e prronit teposhtë, shigjetë zjarmi
mërgues për vendet e vuta e bar dimni
që kurr nuk ka me e prekë!
Kur e vranë, barijtë i hapën qepallat
e i panë ndër bebza
shum drej tue pi currila uji.
GRUEJA ME MËNGJI
Nësa ishte e re e me burrë
fëmija i thithën palcën e eshtnave:
tash i bien dhambët nji nga nji prej goje.
Pavëmendshëm në kalim
ia shtrydhin gjurmën e teshtijnë
të bijtë
për të mos i ndëgjojnë vajin.
Grueja s’e përdori mëngjinë
me ngrehë një kështjellë në det me hala peshku
dhe alga
e me ndejë e ndritun në shkamb ari,
pa të bijtë.