Një udhëtim në kohë që rikthen në vëmendje një nga hapësirat më të gjalla të qytetit dikur, pazarin e famshëm të Shkodrës. Ekspozita “Pazari i humbur i Shkodrës: Ringjallja e një kujtese”, riktheu nostalgji dhe emocione tek shkodranët, ndërsa shijuan çeljen e saj në mjediset e muzeut kombëtar të fotografisë “Marubi”. Ajo sjell për herë të parë koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm i Shkodrës, artefaktet e të cilit i gjejmë të ruajtura në arkivën e Muzeut të Etnografisë së Budapestit.
Në dialog me objekte nga fondi i etnografisë të Institutit të Antropologjisë dhe me imazhet e papublikuara të arkivit, ekspozita rrëfen historinë vizuale të një qendre tregtare që për dekada ndikoi jetën kulturore dhe ekonomike të qytetit.
Kim Knoppers- Kuratore
(Sonte, do të doja t’ju marr me një shëtitje të shkurtër përmes kohës, kujtesës dhe imagjinatës. Le të endemi, për një moment, sikur të ishim atje në zemër të Pazarit të Madh të Shkodrës. Këto ujëra nuk sollën vetëm mallra, ato sollën jetë, histori dhe tregime nga pazari.
Teksa hyjmë më thellë në tokë, hyjmë në vetë pazarin një labirint rrugicash të ngushta. Jeta zhvillohej me një koreografi ritmike. Struktura e pazarit kishte një logjikë të qëllimshme: tregtia e zhurmshme në periferi, kasapët në skaj, mjeshtrit e rafinuar më afër qendrës. Në zemër ishte Bezistani, një treg i mbuluar i madh me 40 dyqane dykatëshe që tregtonin ar dhe bizhuteri. Rreth tij ndodheshin xhamitë, një medrese, një han, karvanserajet dhe hamamet së bashku formonin një ekosistem urban dinamik të tregtisë, punës dhe përkushtimit. Pazari kishte rrënjë të thella që nga shekulli i 14-të, u gjallërua pas Perandorisë Osmane dhe arriti kulmin në shekullin e 19-të nën familjen Bushatllinj. Shkodra u bë një qendër e gjallë në një botë më të gjerë nga Selaniku deri në Edrene e deri në Venedik. Por koha ndryshoi. Rrugë të reja tregtare u hapën. Erdhën përmbytjet. Pastaj, në shekullin e 20-të, filloi shkatërrimi sistematik i pazarit. Nën regjimin komunist, ai shihej si simbol i ndërmarrjes private. Dyqanet u mbyllën. Rrugët u pastruan. Kultura u hesht. Dhe ngadalë, pazari u zhduk nga harta. Por jo, nuk u zhduk nga kujtesa. Ndër emrat e lidhur me këtë botë të humbur është Palok Laca, një tregtar i njohur në Pazarin e Madh të Shkodrës në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të, i njohur për tregtinë me veshje tradicionale, arkëza dasmash të pikturuara me dorë dhe argjendari. I lidhur me elitën katolike të qytetit dhe me gjasë me rrjetet austro-hungareze në Shqipëri, veprimtaria tregtare e Palokut la gjurmë transnacionale materiale. Objekte nga tregtia e tij përfunduan në Hungari dhe tani ruhen në Muzeun Etnografik të Budapestit. Disa prej tyre janë kthyer në Shkodër për këtë ekspozitë).
Stërnipi i Palok Lacës, sot një stilist i njohur, frymëzuar nga këto motive, solli punimet e tij në jacquard, që sjellin një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale shkodrane.
Ekspozita erdhi më mbështetjen e ambasadave të Hungarisë, Holandës, Instituti i Antropologjisë, Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit, dhe nga Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.