Arrestohet në Shkodër një 40-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikun e drogës. U arrestua Endrit Feraru alias Endrit Cufi.
Policia e Shtetit:
Operacione të njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 55”.
Kapet në Shkodër dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin në Itali, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikimin e narkotikëve.
Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, lokalizuan, kapën dhe arrestuan shtetasin E. F. alias E. C., 40 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Roma, pasi ndaj tij, Prokuroria e Riminit, Itali, në muajin shkurt 2025, ka lëshuar urdhër arresti, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikimin e narkotikëve. Për këtë vepër penale, Kodi Penal italian parashikon dënim deri në 20 vjet burgim.
Në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi.