Në një takim me sipërmarrës e fermerë, kryeministri Edi Rama u shpreh se linja e re e kredisë 250 mln euro për bujqësinë, duhet shfrytëzuar maksimalisht, ashtu si edhe Paketa e Maleve. Për këtë të fundit tha se rrezikon të mbetet e pa shfrytëzuar nëse nuk ndërtojmë mekanizmat e duhur.
“Ky vend duhet të ketë sipërmarrje rurale të fuqishme. Duhet të kemi ambicien që tani t’i kushtojmë më tepër rëndësi agropërpunimit, rritjes së eksporteve të produkteve të përpunuara, por kjo kërkon sipërmarrje. Dhe kjo s’mund të jetë çështje fati apo thjesht dhe vetëm e dëshirës dhe ambicies së disa individëve por një strukturë e tërë pune e përbashkët. Kërkon sipërmarrje dhe pushteti vendor duhet të bëhet pararojë në këtë sipërmarrje. Duhet të jetë pika e parë mbështetje për ata që duan të zgjerojnë sipërmarrjet apo të bëjnë sipërmarrje të reja.
“U bënë shumë vite që përpiqemi të krijojmë një realitet kapitalist dhe kryefjala jonë, s’e kam fjalën për ju, për ne në radhë të parë, është buxheti. Mblidh taksa dhe jep buxhet dhe të gjithë turren te buxheti duam më shumë ndërkohë që nga ana tjetër duan më pak taksa. Ndërkohë që buxheti nuk është në asnjë mënyrë përgjigjja për sfidat që ne kemi dhe për zhvillimin që duam të bëjmë. 250 mln euro është linja e kredisë së BSH. Bashkia të jetë e para të ulet të ndërtojë një projekt, të ndërtojë një shoqëri të përbashkët, të fusë fonde dhe të marrë kredinë përkatëse të garantuar nga shteti dhe nuk është çështje subvensionesh. Me subvencionet nuk shkojmë larg por thjesht mbijetojmë. Në rast se krijojmë një shoqëri ku bashkia bëhet pjesë dhe kur qeveria bëhet pjesë përmes garancisë sovrane, financimi është më i madh sesa 10 vjet financim nga subvensionet. Në rastin konkret, ju duhet të bëheni promotorë të kësaj se i keni kapacitetet për të bërë një projekt dhe të uleni me bashkinë. Kjo është rruga, nëpër Evropë janë pjesëmarrëse aktive të zhvillimeve në biznesin e fshatit. Buxhetit i shtetit për bujqësinë ka shumë më pak sesa ca keni ju të deklaruar dhe të padeklaruar. Ju jeni ata që mund t’i tërhiqni bashkitë në proces duke sjellë dijen tuaj, kështu që unë pres që shoqata juaj të vijë dhe të thotë se kemi bërë një projekt dhe ia kemi çuar bashkisë së Malësisë së Madhe, s’po marrim mbështetje, Shkodrës apo Laçit…dhe s’po marrim përgjigje. Këtu gjejmë ne mënyrën se si të ndërhyjmë dhe se si të mbështesim. Por ama gjëja duhet të fillojë nga projekti”.
Kreu i qeverisë pati edhe kritika për kryebashkiakët, të cilëve u tha se janë shkëputur nga fshati dhe nuk po e shohin si pjesë të punës së tyre të përditshme në funksion të zhvillimit.
Rama u ndal edhe tek fondi 250 mln euro që Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion për të mbështetur me kredi sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Takimi do të zgjasë 2 ditë, dhe është i organizuar si një diskutim mbi sektorin e bujqësisë. Që nga mbështetja financiare që merr nga buxheti i shtetit, mundësitë për të rritur financimin, skemat kombëtare dhe si mund të rishikohen për të qenë sa më mbështetëse e deri tek masat e marra për IPARD, që të riaktivizohen fondet.