Njoftim për media – Komisariati i Policisë Shkodër
Strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme, kanë kryer veprime konkrete procedurale, si më poshtë:
-
Arrestim – U ndalua shtetasi L. Sh., 60 vjeç, i shpallur më parë në kërkim, pasi Gjykata e Shkodrës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vepra të turpshme”.
-
Shpallje në kërkim – U shpall në kërkim shtetasi H. P., 28 vjeç, i cili dyshohet se, për motive të dobëta, ka goditur me automjet një biçikletë që drejtohej nga një shtetas 64-vjeçar. Ky i fundit ka pësuar dëmtime të lehta. Vijojnë kërkimet për kapjen e autorit të dyshuar.
-
Procedim në gjendje të lirë – U referuan materialet në Prokurori për nisjen e procedimit penal ndaj shtetasve:
-
B. B., 50 vjeç;
-
J. S., 21 vjeç dhe J. S., 42 vjeç (babë e bir).
Këta shtetas, për motive të dobëta, janë konfliktuar dhe kanë dëmtuar automjetin e njëri-tjetrit.
-
-
Vjedhje – U procedua shtetasi P. M., 34 vjeç, banues në fshatin Bleran, pasi dyshohet se ka vjedhur një biçikletë, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
-
Vjedhje e energjisë elektrike – U procedua shtetasi G. Sh., 34 vjeç, pasi nga kontrolli i kryer në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, në banesën e tij u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Të gjitha materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme ligjore.